Premierat ndërkombëtare vijnë ekskluzivisht në ekranin e RTSH-së, Gorica zbulon premierën e ardhshme: Sezoni nis me superprodhime

Televizion | 8 minuta më parë

Radio Televizioni Shqiptar sjell këtë sezon një ofertë të pasur televizive, me disa prej serialeve më të pëlqyera dhe më të ndjekura në arenën ndërkombëtare. “Hunyadi”, “Maksima” dhe “Mbretëresha e Lotëve” janë tre prej titujve që do të mbajnë të mbërthyer publikun shqiptar, ndërsa së shpejti ekranit të RTSH-së do t’i bashkohet edhe “El Turco”, me protagonist aktorin e njohur Can Yaman.

Për risitë e këtij sezoni dhe ndryshimet në programacionin e RTSH-së, Klajd Gorica, drejtues në Njësinë e Programeve, theksoi se transformimi i programacionit është një proces i nisur prej sezonesh, me synimin për të krijuar një ofertë më moderne dhe më të larmishme për teleshikuesit.

I ftuar në emisionin “Çasti i Duhur”, Gorica bëri të ditur gjithashtu se surprizat do të vijojnë, pasi së shpejti në RTSH do të transmetohet ekskluzivisht edhe seriali “El Turco”, me protagonist Can Yaman.

“Ky sezon televiziv sjell një larmi të madhe produksionesh, por kjo qasje nuk ka nisur vetëm këtë vit. Ajo ka filluar që në sezonet e kaluara, përmes një programacioni më modern, me një sërë serialesh që kulmojnë këtë sezon me disa superprodhime ndërkombëtare, të cilat transmetohen ekskluzivisht në RTSH. Së shpejti, ekskluzivisht në RTSH, do të transmetohet edhe seriali “El Turco”, me aktorin e njohur Can Yaman.

Sa i përket programacionit, që nga viti i kaluar është realizuar një reformë rrënjësore, me një qartësim të fashave dhe ndarjes së tyre, duke i dhënë më shumë identitet mëngjesit, pasdites dhe mbrëmjes. Këtë vit pati ndryshime të rëndësishme në strukturën e programacionit, i cili nis me aktualitetin dhe emisionin e mëngjesit, vijon me një emision gatimi dhe më pas me “Eja te ne”, të cilin ne e quajmë “laboratori”, ku njerëzit mësojnë se si t’i bëjnë gjërat vetë. Më tej, programacioni vijon me një emision me ritëm, “Çasti i Duhur”, dhe më pas me “Kohë reale”, me një emision që përmbledh të gjitha ngjarjet e ditës”, tha ai.

Në një sezon të shoqëruar me risi dhe ndryshime në programacion, RTSH i kushton një hapësirë të veçantë edhe serialeve ndërkombëtare, me një fashë të dedikuar çdo ditë nga ora 18:00 deri në 20:00.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme