Studimi: Ilaçi “magjik” nga kërpudhat mund të trajtojë depresionin e rëndë

Një ilaç, i bazuar në një përbërës në kërpudhat halucinogjene, mund të përmirësojë simptomat e depresionit të rëndë deri në 12 javë. Një tabletë 25 mg psilocybin i vendos pacientët në një gjendje si ëndrra, duke bërë që terapia psikologjike të ketë më shumë gjasa për sukses.
Por efektet anësore afatshkurtra mund të jenë të frikshme dhe ekspertët kanë deklaruar se duhen ende studime më të gjera për të miratuar përdorimin e saj.
Rreth 100 milionë njerëz në mbarë botën kanë depresion serioz klinik që nuk i përgjigjet asnjë trajtimi të disponueshëm, ku 30% tentojnë vetëvrasje. Shkencëtarët kanë vite që studiojnë efektet e psilocibinës në çrregullimet e shëndetit mendor.
Studimet e fundit kanë qenë premtuese, por shumë të shkurtra për të vlerësuar efektet e qëndrueshme. Në provën e fundit, të botuar në “New England Journal of Medicine”, doza 1mg, 10mg dhe 25mg u testuan në një total prej 233 personash nga 10 vende në Evropë dhe Amerikën e Veriut, me 25mg që dhanë rezultatet më të mira. Shumica kishin qenë në depresion të rëndë për më shumë se një vit dhe ishin të moshës rreth 40 vjeç.
Pas një doze 25 mg të psilocybin Comp360, së bashku me psikoterapi, pacientët, të shtrirë në një shtrat në një dhomë të qetë, përjetuan një “udhëtim” psikodelik të cilin njëri e përshkroi si “një ëndërr zgjimi”, për gjashtë deri në tetë orë.
“Mund të jetë shumë pozitive, por gjithashtu mund të jetë negative. Kujtime të vështira nga e kaluara mund të shfaqen, për shembull, në të njëjtën kohë kur ndjeni një rilidhje me veten dhe ndjenjat tuaja “, tha Dr Rucker.
Disa pacientë në të gjitha grupet përjetuan efekte anësore, të tilla si dhimbje koke, të përziera, lodhje ekstreme si dhe mendime për vetëvrasje. Kjo nuk ishte e pazakontë, thanë studiuesit, por ekspertë të tjerë thonë se mund të jetë një shqetësim sigurie.
“Psilocybin mund të ofrojë një ditë një alternativë të mundshme ndaj antidepresantëve, por ekspertë të tjerë theksojnë se efektet pozitive të tij kishin filluar të zhdukeshin pas 12 javësh.
“Depresioni mund të jetë një problem afatgjatë dhe duhet të përdoren periudha shumë më të gjata se 12 javë”, tha Dr Ravi Das, nga University College London.
Një provë më e madhe që do të nisë së shpejti do të studiojë se sa doza nevojiten për të parandaluar kthimin e depresionit. Mund të kalojnë tre vjet përpara se ilaçi të jetë afër autorizimit, thonë studiuesit./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




