Këngët e “Fest 65” marrin formë, artistët dhe orkestra drejt katër netëve të edicionit jubilar

Festivali | 13 minuta më parë

Çdo interpretim ka historinë e vet, por është skena ajo që i jep zërin përfundimtar. Në provat e Festivalit të 65-të të Këngës në RTSH, këngët po kalojnë një tjetër etapë të rëndësishme, atë të përballjes me orkestrën, atmosferën skenike dhe emocionin e interpretimit live. Artistët po punojnë mbi çdo detaj, duke kërkuar të sjellin para publikut jo vetëm një këngë, por një performancë që mbart identitetin dhe mesazhin e tyre.

Përtej notave dhe harmonisë muzikore, provat janë edhe momenti kur artistët përballen me sfidat e interpretimit live. Ndryshimet në aranzhim, ndërveprimi me orkestrën dhe përshtatja me konceptin skenik janë pjesë e këtij procesi, ku çdo provë sjell një tjetër element drejt versionit përfundimtar.

Për disa, kjo skenë është një rikthim, për të tjerë një mundësi e re për të prezantuar krijimtarinë e tyre. Por të gjithë i bashkon dëshira për të lënë gjurmë në një edicion të veçantë, që shënon 65 vite të historisë së Festivalit të Këngës.

“Normalisht emocionet janë, por janë gjithmonë ato të duhura dhe jo ato që na prishin punë’, u shpreh një prej këngëtarëve.

“Ishte bukur ta dëgjonim këngën të merrte jetë me një orkestër, sepse ajo është shumë e rëndësishme për këtë këngë dhe ka një rol thelbësor. Mendoj se, si provë e parë, shkoi shumë mirë dhe mezi presim të ngjitemi në skenë”, tha një këngëtar tjetër.

“Kënga quhet “Kurajo”. Siç e tregon edhe vetë titulli, mesazhi që synon të përcjellë është kurajoja për këdo që e dëgjon. Është një këngë motivuese, e cila synon të rrisë besimin e secilit prej nesh te vetja’, tha këngëtarja.

Ndërsa ditët e provave vijojnë, pritshmëritë rriten. Këngët po gjejnë formën e tyre përfundimtare dhe skena po përgatitet të mirëpresë katër netët e një festivali ku muzika, kujtesa dhe emocionet do të bëhen sërish bashkë.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme