Restauronin dëmet e bëra nga ISIS në Irak, arkeologët zbulojnë gdhendje asiriane 2700-vjeçare

Kuriozitete | 4 vite më parë

Arkeologët në Irakun verior kanë zbuluar disa gdhendje të jashtëzakonshme asiriane në shkëmb që datojnë rreth 2700 vjet më parë. Zbulimi u bë në Nineveh, në lindje të Mosulit, nga një ekip i përbashkët gërmimi SHBA-Irak që përfundon punën e rindërtimit në Portën Mashki, të cilën militantët e ISIS-it e shkatërruan në vitin 2016.

Iraku ishte shtëpia e disa prej qyteteve më të vjetra në botë dhe qytetërimeve më të hershme, duke përfshirë babilonasit, sumerët dhe asirianët.

Rreth vitit 700 para Krishtit, mbreti asirian Senakeribi e bëri Ninevinë kryeqytetin e tij dhe ndërtoi Portën Mashki, që do të thotë “Porta e Perëndisë”, për të ruajtur hyrjen e saj. Por porta ishte një nga monumentet e shumta historike që u bë viktimë e konfliktit të zgjatur ushtarak dhe akteve të vandalizmit kulturor në zonë nga ISIS.

Kur Programi i Stabilizimit të Trashëgimisë së Irakut filloi punën për rindërtimin e portës, ata bënë një zbulim që ai e përshkroi si “aq të rrallë sa ishte e paimagjinueshme”.

Të varrosura nën rrënojat e portës ishin shtatë pllaka mermeri që mbanin gdhendje të zbukuruara që përshkruanin ushtarë asirianë që gjuanin shigjeta, si dhe palma, shegë dhe fiq që të gjitha i përkisnin pallatit të Senakeribit.

“Ne ishim të gjithë të mahnitur dhe pothuajse pa fjalë. Ishte si një ëndërr,” tha drejtuesi i punimeve Danti. “Askush nuk e parashikoi se ne do të gjenim relieve të Senakeribit në një portë të qytetit.”

Edhe pse kishte pasur gërmime arkeologjike në vend më parë, në vitet 1960 dhe 1970, kjo dhomë e veçantë nuk ishte gërmuar kurrë më parë.

Zbulimi ofron mundësi të reja emocionuese për kërkime, me arkeologët që tani kthehen në Mosul për të gërmuar më thellë në historinë e Perandorisë Neo-Asiriane.

Ndërsa zbulimet e mëparshme si ky janë marrë jashtë vendit si në Muzeun Britanik dhe Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork këto pllaka do të mbeten në Irak.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme