Kanadaja do të vendos etiketa paralajmëruese në çdo cigare

Lifestyle | 3 vite më parë

Kanadaja do të jetë vendi i parë që do të fillojë të shtypë paralajmërime direkt në cigare, në një përpjekje për të penguar të rinjtë nga fillimi i duhanit dhe për të inkurajuar të tjerët të lënë duhanin.

Paralajmërimet, të cilat do të jenë në anglisht dhe frëngjisht, do të përfshijnë fraza si “Cigaret shkaktojnë kancer” apo shkrime të tjera.

Duke filluar nga viti i ardhshëm, kanadezët do të fillojnë të shohin etiketat e reja paralajmëruese. Deri në korrik të vitit 2024, prodhuesit do të duhet të sigurojnë që paralajmërimet të jenë në të gjitha cigaret e shitura.

Frazat do të shfaqen pranë filtrit, duke përfshirë paralajmërimet për dëmtimin e fëmijëve, dëmtimin e organeve dhe shkaktimin e impotencës dhe leuçemisë.

Në maj, Health Canada tha se rregulloret e reja “do ta bëjnë praktikisht të pamundur shmangien e paralajmërimeve shëndetësore” për produktet e duhanit.

Masa është pjesë e përpjekjes së Kanadasë për të reduktuar përdorimin e duhanit në më pak se 5% deri në vitin 2035 dhe pason një periudhë konsultimi publik 75-ditor që filloi vitin e kaluar.

Kanadaja ka kërkuar printimin e etiketave paralajmëruese në paketat e cigareve që nga viti 1989 dhe në vitin 2000 vendi miratoi kërkesat e paralajmërimit me foto në paketat  dhe produktet e duhanit.

“Përdorimi i duhanit vazhdon të jetë një nga problemet më të rëndësishme të shëndetit publik të Kanadasë dhe është shkaku kryesor i parandalueshëm i sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme në Kanada“,tha Ministri i Shërbimeve Publike Jean-Yves Duclos.

Pirja e duhanit konsiderohet gjerësisht si një faktor rreziku për kancerin e mushkërive, sëmundjet e zemrës dhe goditjen në tru.

Në Kanada, shkalla e duhanpirësve të moshës 15 vjeç e lart është rreth 10%, sipas një studimi kombëtar të Duhanit dhe Nikotinës 2021, por përdorimi i cigareve elektronike ka qenë në rritje./BBC/

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme