Byzylyku me safirin historik të Romanovëve shitet për 5 milionë dollarë

Një byzylyk luksoz, që përmban një safir 197.80 karatësh, dikur pjesë e koleksionit të xhevahireve të familjes perandorake ruse Romanov, është shitur për 4.9 milionë dollarë në një ankand të zhvilluar nga Sotheby’s në Gjenevë të Zvicrës.
Çmimi i shitjes tejkaloi ndjeshëm parashikimin fillestar të ankandit, i cili ishte 1.02 deri në 2.04 milionë dollarë. Byzylyku u shit për 4.1 milionë franga zvicerane, duke dëshmuar interesin e madh për bizhuteritë me histori mbretërore.
Safiri është vendosur në një byzylyk diamanti me dizajn gjeometrik nga shtëpia e njohur e argjendarisë Cartier. Guri i çmuar besohet të ketë qenë pjesë e koleksionit të carëve rusë dhe shfaqet edhe në një fotografi të vitit 1883, ku shihet i vendosur në veshjen e Perandoreshës Maria Feodorovna, bashkëshortja e Carit Aleksandër III dhe nëna e Nikollës II.
Pas Revolucionit Rus të vitit 1917 dhe përfundimit të sundimit të Romanovëve, koleksioni perandorak u shit nga sovjetikët gjatë viteve 1920. Safiri u ble në vitin 1927 nga Ganna Walska, një koleksioniste e njohur, dhe më pas kaloi në disa montime të ndryshme bizhuterish.
Në vitin 2015, Cartier e vendosi gurin e çmuar në byzylykun aktual, duke kombinuar historinë e tij mbretërore me stilin Art Deco.
Shitja e fundit i shtohet një serie ankandesh ku bizhuteritë e lidhura me familjen Romanov kanë arritur vlera të konsiderueshme, duke tërhequr interesin e koleksionistëve në tregun ndërkombëtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



