Shqipëria digjitale, Rama: Fokusi, krijimi i një sistemi në vend për aksesin në fushën e teknologjisë

E ardhmja është e fokusuar drejt teknologjisë dhe zhvillimi gjithnjë e më shumë i projekteve në programet e kodimit po marrin një fokus më të madh nga qeveria përmes financimeve. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se synimi është që në të gjithë vendin të krijohet një sistem për të lehtësuar aksesin e kujtdo në fushën e teknologjisë.
Gjatë një takimi me të rinjtë të angazhuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, Rama u shpreh se pjesë e këtij plani janë edhe pajisja e të gjitha shkollave me laboratorë inteligjentë, ku fëmijët të kenë mundësi për të aksesuar në kodim që në fillore.
“Ne e kemi nisur në fillim nga zero dhe pikërisht problemi kryesor ishte informimi dhe sqarimi i të rinjve mbi të mirat dhe dobinë e kodimit. Pamë një bum aplikimesh, mbi 7000 aplikime në e-Albania dhe na ka inkurajuar të shohim përtej këtij programi dhe të gjejmë se si të shtojmë numrin e rrugëve për të aksesuar teknologjinë duke krijuar hap pas hapi një sistem në të gjithë vendin. Qendra TUMO ka një shtrirje edhe jashtë Tiranës, kemi laboratorët inteligjentë në shkolla ku fëmijët që në klasën e parë fillojnë të marrin nocionet e para të teknologjisë dhe kodimit. Plani është që të gjitha shkollat të mbulohen me laboratorë inteligjentë. Është drejt përfundimit një strukturë e re teknologjike në Vlorë për të krijuar një tjetër hapësirë për këtë sistem. Po përpiqemi që të zgjerohemi edhe në disa qytete të tjera pa dubluar TUMO-n”, tha Rama.
Duke pasur në fokus zhvillimin e Shqipërisë digjitale, kreu i qeverisë tha se problem mbetet hendeku i gjerë në fushën e kërkim-zhvillimit, duke kërkuar më shumë fokus në këtë drejtim.
“Kompani të huaja duan ta konsiderojnë Shqipërinë si një pikë për të vendosur operacionet e tyre pikërisht në fushën e teknologjisë. Kemi ende një hendek të konsiderueshëm në fushën e kërkim-zhvillimit dhe duhet të japim më shumë së bashku për ta forcuar kërkim-zhvillimin dhe të plotësojmë nevojat e tregut. Inkurajoj të rinjtë të aplikojnë dhe të përfshihen në programet e Kodimit”, tha Rama.
Një tjetër risi që do të hapet në Tiranë gjatë samitit të Komitetit Politik Europain, ishte edhe shkolla franceze “Ecole 42” në fushën e teknologjisë. Hapja do të bëhet në bashkëpunim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Kjo qendër, tha Rama, do i japë mundësi çdo moshe që të këtë qasje në fushën e teknologjisë.
“Gjatë samitit do të hapim me Macron një tjetër strukturë ngjitur me Piramidën, një shkollë ndryshe nga ajo tradicionale. Shkolla “Ecole 42” ku i jepet mundësia të gjithëve pavarësisht moshës dhe formimit akademik që mund të konkurrojnë për të hyrë në atë shkollë me një program specifik ju jepet çelësi për të hyrë në botën e teknologjisë”, u shpreh kryeministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




