Magjia e Syrit të Kaltër, bukuria natyrore në jug të vendit që mahnit turistët
Syri i Kaltër në jug të Shqipërisë vijon të mbetet një nga atraksionet më të vizituara nga turistët e huaj. E veçanta e këtij burimi natyror, me ujin kristal dhe ngjyrën e pazakontë, ka bërë që zona të kthehet në pikë referimi për udhëtarët që kërkojnë përvoja autentike.
Gjatë muajve të fundit, fluksi i turistëve në këtë zonë është rritur ndjeshëm. Vizitorë nga vende të ndryshme të botës, ndalojnë pranë Syrit të Kaltër për të parë nga afër bukurinë natyrore që shpesh është parë vetëm në fotografi apo rrjete sociale.
“E pamë Syrin e Kaltër në një video në Instagram dhe mbetëm pa fjalë. Nuk e kishim menduar që Shqipëria kishte një vend kaq të bukur natyror. Vendosëm ta përfshijmë në itinerarin tonë dhe absolutisht ia vlejti”, shprehet turisti.
“Na e sugjeroi këtë destinacion edhe një mik që kishte vizituar Shqipërinë vitin e kaluar. Na tha se Syri i Kaltër është një nga vendet më mbresëlënëse që ka parë ndonjëherë .”, tha një tjetër.
Përshtypjet e turistëve pas vizitës në Syrin e Kaltër janë të gjitha pozitive. Shumë prej tyre e përshkruajnë si një nga vendet më mbresëlënëse që kanë parë ndonjëherë, duke e krahasuar me mrekullitë natyrore të vendeve të njohura turistike në botë.
“Kur mbërritëm pranë Syrit të Kaltër, na u duk sikur ishim në një botë tjetër. Ngjyra e ujit ishte aq e thellë dhe e pastër, sa nuk mund t’i besonim syve. Ishte një nga momentet më të veçanta të udhëtimit tonë”, vijon një tjetër.
“Ne kemi parë shumë vende nëpër botë, por kjo ishte ndryshe. Ka një qetësi dhe një energji që nuk përshkruhet me fjalë. Kur e pamë për herë të parë nga afër, u emocionuam ,është vërtet një mrekulli natyroR”, tha turisti.
Syri i Kaltër mbetet një nga dëshmitë më të qarta të bukurive natyrore që ofron Shqipëria.
Mes fluksit në rritje të turistëve dhe vëmendjes që po merr zona, sfida kryesore është ruajtja e këtij thesari natyror. Mbrojtja e mjedisit, menaxhimi i qëndrueshëm i vizitorëve dhe ndërgjegjësimi i publikut janë thelbësore që kjo perlë e jugut të mbetet e paprekur edhe për brezat që do të vijnë.
Gazetare Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





