Prezantohet paketa e re ligjore/ Spahiu: Përafrimi me standardet e BE-së në fokus të reformës së barnave
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Klodiana Spahiu ka bërë të ditur se paketa e re e katër projektligjeve në shëndetësi synon të riorganizojë mënyrën se si sigurohen barnat dhe pajisjet mjekësore për spitalet publike, duke përafruar kuadrin ligjor me standardet e Bashkimit Evropian dhe duke vendosur në qendër krijimin e shoqërisë publike MedAL.
Gjatë prezantimit të kësaj pakete para grupeve të interesit në kuadër të aktivitetit “Shëndetësia drejt integrimit në BE 2030”, Spahiu, foli përpara ekspertëve evropianë që kanë ndihmuar në hartimin e nismës, përfaqësuesve të industrisë farmaceutike, komunitetit të biznesit, institucioneve dhe organizatave profesionale. Fokusi i diskutimeve ishte rritja e sigurisë së furnizimit, administrimi më i mirë i fondeve publike dhe modernizimi i sistemit shëndetësor në funksion të nevojave të qytetarëve.
Përmes krijimit të shoqërisë publike MedAL, institucionet shëndetësore synojnë të koordinojnë fuqinë blerëse, të planifikojnë më saktë nevojat, të menaxhojnë në mënyrë të integruar stokun dhe të hapin rrugën për krijimin e rezervave strategjike.
Duke folur për qëllimin e kësaj qasjeje, ministrja Spahiu vuri në dukje se “për pacientin, rëndësi ka që bari i duhur të jetë i disponueshëm në kohën e duhur, me cilësinë e kërkuar dhe me një kosto të përballueshme për sistemin”.
Përveç projektligjit për shoqërinë MedAL, reforma përfshin projektligjet për produktet mjekësore për përdorim njerëzor, për pajisjet mjekësore dhe për pajisjet mjekësore diagnostikuese in vitro. Këto tre akte synojnë të forcojnë kriteret e cilësisë dhe sigurisë, të rrisin gjurmueshmërinë dhe farmakovigjilencën, të lehtësojnë qasjen në teknologji të reja dhe të heqin burokracinë e tepërt.
“Filozofia jonë është të forcojmë standardet që mbrojnë qytetarin dhe të thjeshtojmë procedurat që nuk krijojnë vlerë”, u shpreh ministrja.
Lidhur me rregullat e tregut, Spahiu bëri të qartë se autorizimi i tregtimit mbetet parimi bazë për nxjerrjen e barnave në treg, ndërsa mekanizmat e posaçëm të importit duhet të përdoren vetëm si përjashtime të argumentuara, duke respektuar plotësisht kërkesat ligjore, cilësinë, sigurinë dhe gjurmueshmërinë.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve dhe pyetjeve të ngritura nga aktorët e tregut, ministrja vlerësoi rolin e sektorit privat, investimet e kryera si dhe përvojën profesionale e logjistike të akumuluar ndër vite. “Objektivi i reformës është përmirësimi i funksionimit të sistemit publik. Ekspertiza dhe kapacitetet e sipërmarrjes private janë pjesë e rëndësishme e këtij ekosistemi. Organizimi i ri i furnizimit duhet të mbështetet në transparencë, konkurrencë të ndershme, trajtim të barabartë, paanshmëri rregullatore dhe llogaridhënie”, nënvizoi ajo.
Ministrja theksoi se procesi i konsultimit do të shërbejë për të shqyrtuar propozime konkrete e të argumentuara mbi konkurrencën, sigurinë e furnizimit, investimet dhe zbatimin në praktikë. Sipas saj, vlerësimi përfundimtar i kësaj reforme nuk do të mbetet te letra.
“Suksesi i kësaj reforme do të matet me rezultatet në praktikë: aksesin në trajtime, sigurinë e produkteve, vazhdimësinë e furnizimit, besimin tek institucionet dhe përdorimin e përgjegjshëm të fondeve publike”, përfundoi Spahiu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




