Durrësi, jo vetëm plazh – Kulla Veneciane me fluks turistësh, në vjeshtë hapet Muzeu Arkeologjik

Aktualitet | 1 vit më parë

Kulla Veneciane dhe amfiteatri antik vazhdojnë të jenë dy nga monumentet e trashëgimisë kulturore më të vizituara në qytetin e Durrësit.

Të dhënat e marra nga Qendra Muzeore Durrës bëjnë të ditur se nga fillimi i vitit deri në mesin e muajit qershor janë regjistruar 20 mijë vizitorë vendas dhe të huaj, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë shënuar 15 mijë vizitorë.

Ina Ajazi, specialiste e kësaj qendre, thotë se në mjediset e Kullës Veneciane vizitorët njihen me një tur virtual rreth historisë mesjetare të Durrësit, falë teknologjisë që është instaluar në mjediset e saj.

“Fluksi është i lartë dhe presim më shumë vizitor. Kemi programe të ndryshme multimediale, duke filluar që nga audio guida që është në 5 gjuhë të huaja, kemi më pas programin VR. Janë të interesuar të njohin periudhën romake, bizantine që ndodhen ne amfiteatër”, u shpreh ajo.

Edhe amfiteatri antik është pjesë e turit që vizitorët, kryesisht të huaj, kryejnë në Durrës. Galeritë e tij dhe sidomos kisha bizantine në mjediset e brendshme, e bëjnë atë unik dhe të papërsëritshëm.

Qytetit pritet ti shtohet gjatë vjeshtës edhe një tjetër monument i rrallë: muzeu arkeologjik tërësisht i rikonstruktuar, që pritet të hapet me tre kate funksionale, ku pritet të ekspozohen artefakte të rralla të historisë sonë përgjatë shekujve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme