Mbarëvajtja e sezonit turistik – Proda “zbret” në terren, kërkon masa për uzurpimin e plazheve dhe nivelin e zhurmave

Aktualitet | 1 vit më parë

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ishte të shtunën në Sarandë, aty ku pa nga afër punën e efektivëve blu.

Proda kërkoi moslejimin e uzurpimit të plazheve dhe të shkeljeve me nivelin e zhurmave.

“Ne duhet të garantojmë që plazhet tona të jenë të lira. Askush nuk ka të drejtën të abuzojë me to. Është një pasuri që na e ka falur Zoti. Qytetarët dhe turistët kanë gjithë të drejtë e tyre për ta shfrytëzuar sipas dëshirës. Asnjë tejkalim i lejeve që ka dhënë Agjencia e Bregdetit nuk do të tolerohet dhe ju takon juve që të bëni inspektime të përditshme dhe të ndëshkoni shkelësit. Mbas orës 00:00 nuk ka më zhurma. Qytetarët kanë të gjithë të drejtën të pushojnë të qetë,” u shpreh drejtori i përgjithshëm i Policisë.

Nga ana tjetër, kujdes u kërkoi efektivëve sa i përket mjeteve lundruese dhe aksidenteve rrugore.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve që kemi pasur në të shkuarën. Për këtë arsye ne duhet të jemi proaktivë dhe të mos tolerojmë asnjë shkelje në këtë drejtim, në veçanti jet-ski-të për pjesën e perimetrit të sigurisë, por edhe kontrollin e të gjitha mjeteve lundruese për respektimin e kapaciteteve konstruktive, për dokumentacionin, dhe pa dyshim për pajisjen e tyre me elemente të sigurisë,” tha Proda.

Ai gjithashtu kërkoi rritje të masave në pikat kufitare për të shmangur radhët dhe rritje të sigurisë në akset rrugore përmes përdorimit të teknologjisë inteligjente.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme