Urgjenca, 1.800 thirrje për ndihmë në ditë, Brataj: Asnjë viktimë nga i nxehti, por gjendje të fikëti

Aktualitet | 1 vit më parë

Vala e të nxehtit që ka prekur vendin tonë dhe pjesën më të madhe të Europës po sjell rekorde të reja edhe në  kërkesat për ndihmë drejtuar 127-tës.

1.800 thirrje për ndihmë në ditë dhe rreth 500 vizita në 24 orë, janë këto shifrat që përcjell për RTSH kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.

“Kemi aktualisht 400-500 vizita në ditë, që do të thotë 50 më shumë se sa kemi patur si dhe rreth 1800 thirrje ditore, ose 300 më shumë nga e zakonshmja”, tha ai.

Thirrje për ndihmë janë të shumëllojshme por ato më kryesoret janë: “nga virozat, gastroenteritet, krizat respiratore, pickimet që janë tipike të kësaj periudhe e deri tek gjendjet e lipotimisë ose të fikti në gjuhën e popullit”.

Problem shumë i madh paraqitet edhe lagështira që shkon mbi 60% në ajër

“Norma e lagështirës së ajrit është 40% – 60% që do të thotë sasia e avujve në ajër. Nëse është më e lartë ne kemi vështirësi që të eliminojmë energjinë që prodhojmë dhe duke na krijuar vështirësi , rritet temperatura jonë që ka të bëjë me goditjen ndaj të nxehtit të cilat na shkaktojnë dehidratim, marrje mendsh, dhimbje koke, shpesh herë konfuzion që nuk kuptojmë çfarë po themi e ku jemi. Në shumë raste ndikon edhe veshja”, tha Brataj

Por a kemi viktima nga i nxehti ?

“Është vështirë të japësh shifra të sakta për këtë e të thuash që këto viktima i kemi nga të nxehtit. Sigurisht grupet në risk  si fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike i kanë mekanizmat aktivizues në fije të perit ndaj dhe mund të jenë pre e përkeqësimit të parametrave shëndetësore dhe patologjive. Fatalitetet nga i nxehti direkt janë përshembull një fëmijë i harruar në makinë apo një kafshë, siç ka ndodhur në vende të tjera”, theksoi Brataj.

Shefi i Urgjencës Kombëtare këshillon të evitohen daljet, aktivitetet fizike edhe për ata që janë të shëndetshëm si dhe të qëndrojmë të hidratuar.

Gazetare : Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme