Foto të paharrueshme- Përmbytja nuk e ndalon një çift filipinas të martohet në kishën e përmbytur nga tajfuni Wipha

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm dhe ndikimi i Tajfunit Wipha nuk e ndalën Jade Rick Verdillon dhe Jamaica Aguilarin të thoshin “Po” në ditën e tyre të dasmës. Të martën, më 22 korrik 2025, çifti filipinas eci drejt një altari të përmbytur në kishën historike Barasoain në Malolos, provinca Bulacan, Filipine, duke demonstruar vendosmëri përballë sfidave.
Tajfuni Wipha ka intensifikuar shirat e sezonit të musoneve në Filipine, duke sjellë përmbytje të përhapura në shumë zona, përfshirë edhe kishën Barasoain. Pavarësisht parashikimit të rrezikut të përmbytjeve, çifti vendosi të mos e linte motin të prishte ditën e tyre të veçantë.
“Ne thjesht mblodhëm guximin e duhur,” tha Verdillo. “E vendosëm sot sepse është një sakrificë më vete. Por do të ketë më shumë sakrifica nëse nuk ia dalim mbanë sot.”
Nusja, Jamaica Aguilar, eci përmes ujërave që i arrinin pothuajse deri në gjunjë, me fustanin e saj të bardhë dhe bishtin e nusërisë që lundronin pas saj. Dhëndri, Jade Rick Verdillo, e priste në altar i veshur me një këmishë të qëndisur, Barong Tagalog.
Çifti, që ka qenë bashkë prej 10 vitesh, shprehu bindjen se kjo sfidë e motit është vetëm një nga shumë vështirësitë që do të kapërcejnë së bashku në martesë.
“Mendoj se sfidat nuk do të mbarojnë. Është thjesht një provë. Kjo është vetëm një nga vështirësitë që kemi kapërcyer,” tha dhëndri.
Pavarësisht motit të trazuar, disa familjarë dhe miq arritën të merrnin pjesë në ceremoni, duke e bërë këtë dasmë një ngjarje të paharrueshme dhe frymëzuese për të gjithë.















/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





