Udhëtim me kamper në Ballkan, familja nga Çekia ka planifikuar qëndrim dyjavor në Shqipëri

Aktualitet | 1 vit më parë

Një familje nga Republika Çeke ka nisur një udhëtim të gjatë përmes vendeve të Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Prej dy javësh ata po eksplorojnë veriun dhe jugun e vendit me kamperin e tyre të ndërtuar me dorë nga vetë kryefamiljari. Ndalesa e tyre e fundit ishte në veri, për të shijuar natyrën dhe shtigjet malore, pas disa ditësh relaksi në plazhet shqiptare.

“E kemi nisur nga Mali i Zi. Në Shqipëri do të qëndrojmë dy javë. Filluam nga veriu. Qëndruam në Theth dhe lëvizëm në disa plazhe të jugut,” thotë turisti nga Çekia.

Kamperin e ka përshtatur sipas nevojave të tyre. 

“Këtë kamper po e përdorim prej dy vitesh. Doja ta krijoja siç kisha dëshirë vetë, kështu që çdo gjë brenda e kam instaluar unë,” thotë ai.

Në restorante konsumojnë vetëm ushqim tradicional. 

“Na sollën byrek dhe perime,” shton ai.

Të mahnitur nga mikpritja, ushqimi tradicional dhe peizazhet e ndryshme, familja çeke shprehet se Shqipëria i ka tejkaluar pritshmëritë e tyre.

“Turizmi në Shqipëri i ka kaluar pritshmëritë tona dhe gjithçka duket mirë. Ka gjithçka që na nevojitet,” shprehet turisti.

Me ndjesinë se kanë gjetur gjithçka që u nevojitet për një udhëtim të rehatshëm, ata do të vijojnë rrugëtimin drejt Kosovës dhe Serbisë, përpara se të kthehen në Çeki. 

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme