Zyrtarët dënojnë thirrjet raciste anti-shqiptare në Kumanovë

Maqedonia e Veriut | 1 vit më parë

Thirrjet raciste anti-shqiptare që u dëgjuan mbrëmë (2 gusht) në Sallën e Sporteve në Kumanovë gjatë ndeshjes së basketbollit Maqedoni e Veriut–Rumani janë dënuar nga një sërë autoritetesh dhe subjektesh politike. Këto thirrje shkaktuan një valë reagimesh, veçanërisht pasi ndeshja u zhvillua në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Reagimet nga politika

Zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti, dënoi ashpër thirrjet, duke i cilësuar si një sulm ndaj bashkëjetesës dhe barazisë që e bën Maqedoninë e Veriut unike. Ai bëri thirrje për zbardhjen e rastit dhe parandalimin e përsëritjes së tyre.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se incidenti nuk ishte vetëm një turp për sportin, por një goditje ndaj idesë së barazisë. Ai e cilësoi Maqedoninë e Veriut si një mozaik kulturor që duhet ndërtuar me frymë të përbashkët.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, dënoi gjuhën e urrejtjes, duke e quajtur incidentin si një akt të përgatitur nga struktura kriminale për të mbjellë përçarje.

Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, theksoi se thirrjet ofenduese ndaj shqiptarëve ndodhën në prani të kryeministrit Mickovski dhe zyrtarëve të tjerë, duke kërkuar një reagim të fortë nga ana e tyre.

BDI kërkoi përgjegjësi politike dhe dorëheqjen e dy zëvendësministrave nga radhët e VLEN-it, Astrit Iseni dhe Safije Sadiki Shaini. Ajo gjithashtu u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në qeveri që të distancohen publikisht nga ky akt.

Thirrjet raciste janë dënuar edhe nga subjekte të tjera politike, të cilat kanë kërkuar zbardhjen e shpejtë të rastit dhe marrjen e masave nga autoritetet kompetente.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme