Interes i lartë për “Paketën e Maleve”, MIA: Mbi 3300 aplikime, Shkodra kryeson

Turizëm | 1 vit më parë

Nisma qeveritare “Paketa e Maleve”, e krijuar për të nxitur investimet në zonat malore, ka shënuar një interes të madh nga qytetarët, fermerët dhe sipërmarrësit. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Agjencia për Median dhe Informacionin (MIA), deri tani janë regjistruar plot 3308 aplikime në të gjithë vendin.

Qëllimi i kësaj nisme është të krijojë kushte të favorshme për zhvillimin e turizmit, agropërpunimit, bujqësisë dhe blegtorisë në zonat me potencial natyror, por me akses të kufizuar në investime.

Aplikimet mbeten të hapura deri në fund të vitit 2025, duke u dhënë mundësi si qytetarëve, ashtu edhe emigrantëve, të investojnë në Shqipëri.

Shkodra, qarku me më shumë aplikime

Sipas MIA, qarku i Shkodrës kryeson me 687 aplikime, duke treguar një interes të veçantë për zhvillimin e turizmit malor dhe agrobiznesit në këtë zonë. Edhe qarku i Vlorës ka shënuar një numër të lartë aplikimesh, me 378, i ndjekur nga Elbasani me 348 dhe Dibra me 323.

Të dhënat e plota sipas qarqeve janë:

Shkodër: 687

Vlorë: 378

Elbasan: 348

Dibër: 323

Tiranë: 301

Korçë: 244

Gjirokastër: 185

Berat: 162

Lezhë: 147

Fier: 113

Durrës: 96

Një nga masat kryesore nxitëse të këtij programi është lehtësia fiskale. 500 aplikantët e parë do të përfitojnë lehtësira për një periudhë 10-vjeçare, një masë që synon të shpërblejë investitorët e hershëm dhe të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm.

“Paketa e Maleve” shihet si një pjesë e rëndësishme e strategjisë së qeverisë për të frenuar braktisjen e zonave malore dhe për të kthyer potencialin e tyre natyror në një burim të qëndrueshëm të ardhurash për komunitetet vendase.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme