Belshi, ky thesar që duhet njohur! Turistët izraelitë mahniten nga bukuritë natyrore të Dumresë
Për të vizituar dhe shijuar Dumrenë dhe kryeqendrën e saj Belshin nuk ka një stinë të caktuar. Mozaiku që formojnë 84 liqenet karstike, si dhe kurora e gjelbër që i rrethon nuk lënë vend për mëdyshje. Kushdo që ndeshet për herë të parë me këtë informacion apo pamje e merr menjëherë vendimin për ta vizituar.
Kështu ndodhi dhe me këtë grup nga Izraeli, “nuk e besonim që ekziston një vend kaq magjik në zemër të Evropës”, ishte reagimi i parë i tyre, ndërsa përshkonin rrugët dhe bregliqenet e Belshit.
Ky është një thesar i fshehur që duhet ta njohë e gjithë bota”, thanë ata, teksa fotografonin çdo moment dhe ndanin përvojën e tyre në rrjetet sociale. Sipas tyre, Belshi përmendet gjithnjë e më shpesh në Izrael si një destinacion surprizë, ku mikpritja, natyra dhe qetësia ndërthuren në mënyrë të përsosur”
“Është dita ime e parë në Shqipëri. Duke parë postimet në rrjetet sociale u bëra kurioz ta njoh këtë vend. Erdhëm si grup në Belsh. Pamje mahnitëse, njerëz të mrekullueshëm. Erdhëm këtu dhe shijuam pamjet, ushqimet, restorantet. Vend shumë i këndshëm”, u shpreh një turist.
“Shqipërinë dhe Belshin i gjeta në Facebook. Komunikuam me një grup miqsh dhe vendosëm të vijmë. Peizazhi është fantastik. Shqipëria është vend shumë i bukur”, tha një tjetër turist.
Dumreja dhe qyteti i Belshit, ku dhe investimet publike dhe private mbajnë peshën e tyre, mbeten lokomotiva e turizmit në qarkun e Elbasanit, të cilët konkurrojnë denjësisht në tregun global të turizmit.
Gazetare: N. Spahiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





