“Pazari i Vjetër” i Korçës, destinacioni ku gërshetohet tradita, kultura e argëtimi
Mikpritja e korçarëve, serenatat si dhe gatimet tradicionale, krijojnë një panoramë të mrekullueshme për qytetin juglindor. Ajo që e bën Korçën të veçantë është qetësia ndërsa pamjet e qytetit ndryshojnë nga një lagje në tjetrën.
Është “Pazari i Vjetër” i Korçës siç është quajtur që prej krijimit të tij ai që më së shumti tërheq turistët. Ata janë çdo vit e më të shumtë, të bindur se në Korçë do të gjejnë diçka ndryshe nga çfarë kanë parë në qytetet e tjera.
“Në Francë pamë një reportazh për Shqipërinë në televizion dhe vendosëm të vijmë. Është hera ime e parë në Shqipëri, sot është dita e dytë që kam mbërritur në këtë vend, është një vend shumë i këndshëm”, u shpreh një turist.
“Jemi nga Franca. Me pëlqejnë destinacionet kulturore dhe kam rezervuar për këtu nëpërmjet internetit. Më pëlqen mikpritja e njerëzve këtu, ju jeni gjithmonë të qeshur, i ndihmoni turistët nëse kanë nevojë për informacion për qytetin, kemi shijuar edhe specialitete të kulinarisë këtu që na kanë pëlqyer shumë”, tha një turiste.
“Jam nga Maqedonia e Veriut. Jam këtu për një projekt dhe mendoj se Korça është një qytet shumë i bukur, po kalojmë vërtet një kohë shumë të bukur. Më pëlqen arkitektura, kjo pjesë e pazarit të vjetër, gjithashtu ndërtesa të tjera si katedralja, e cila më pëlqeu shumë, është plot jetë e kulturë”, tha një tjetër turiste.
“Pazari i Vjetër” i Korçës vazhdon të jetë një nga vendet e vizituara masivisht nga turistë vendas e të huaj gjatë këtij sezoni veror. Ky destinacion turistik i cili ofron një gërshetim interesant mes traditës, kulturës e argëtimit është mjaft i frekuentuar në çdo ditë të javës.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





