Pushimet verore rikthejnë emigrantët, vlerësojnë ndryshimet infrastrukturore në Shqipëri
Pika e kalimit kufitar të Kakavijës po përballet me një fluks të shtuar udhëtarësh dhe automjetesh, për shkak të rikthimit të emigrantëve shqiptarë për pushimet verore, si dhe rritjes së turistëve të huaj që vizitojnë vendin tonë.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, nga kjo pikë doganore kanë hyrë dhe dalë 9.193 shtetas dhe janë regjistruar 2.964 mjete.
Emigrantët që vijnë pranë familjeve të tyre vlerësojnë jo vetëm lehtësimin në pikën doganore, por edhe ndryshimet në shërbim dhe infrastrukturë.
Sofia nga Holanda zgjodhi Shqipërinë për të pushuar. Teksa po kalonte në pikën doganore të Kakavijës, vlerësoi bukuritë e Shqipërisë dhe mikpritjen e vendasve.
“Këtë vit e vendosëm me familjen që t’i kalojmë pushimet në Vlorë. U mrekulluam nga vendi me pamje e tij kaq magjepsëse. Deti si kristal dhe njerëzit aq miqësorë. Pa dyshim që do të kthehemi sërish në këtë vend,” shprehet turistja e huaj.
Për të përballuar situatën, autoritetet kufitare kanë marrë masa shtesë, duke përfshirë shtimin e sporteleve aktive dhe forcimin e stafit në shërbim, me qëllim lehtësimin e procedurave të hyrje-daljes dhe shmangien e radhëve të gjata.
Pala shqiptare po punon me 6 sportele, 3 në hyrje dhe 3 në dalje. Gjithashtu edhe pala greke po punon me të njëjtin kapacitet sportelesh.
Nga të dhënat zyrtare, nga data 1–7 gusht 2025 rezultojnë 72.717 shtetas shqiptarë dhe të huaj që kanë hyrë e kanë dalë nga territori shqiptar, si dhe 24.255 në hyrje-daljet e Shqipërisë.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





