Turizmi dhe ekosistemi, specialistët kërkojnë menaxhim të qëndrueshëm

Aktualitet | 1 vit më parë

Pikat e njohura turistike të breg liqenit të Shkodrës, Shiroka dhe Zogaj, po frekuentohen gjithnjë e më shumë nga vizitorë vendas dhe të huaj, që pëlqejnë turizmin natyror dhe atë kulinar.

Investimet që po realizohen në infrastrukturën rrugore po e rrisin edhe më shumë interesin për të vizituar këtë zonë turistike.

“Këtë vit ka një rritje të të huajve në këto zona. Zhvillimi i turizmit lidhet kryesisht me infrastrukturën që po bëhen në rrugën lidhëse të Shqipërisë me malit të Zi, që është nga Shiroka në Zogaj,” thotë Renato Lumçi, drejtor i Turizmit në Bashkinë Shkodër.

E ndërkohë që turizmi në brigjet e liqenit po bëhet gjithnjë e më masiv, kjo sjelle edhe ndikimet mbi ekosistemin e pasur të kësaj zone. Sipas specialistëve të mjedisit, nëse ky zhvillim menaxhohet në mënyrë të qëndrueshme, ai mund të ndihmojë në ruajtjen e biodiversitetit.

Por, në rast të kundërt, mund të kthehet në një faktor kërcënues për resurset natyrore.

“Kudo ku ka turizëm patjetër do të ketë ndërhyrje në mjedis. Degradimi i habitatit, hapja e bar-restoranteve, ndërtimi i hoteleve, atraksionet apo aventurat, sikurse janë xhirot me varka, kanë ndikimin në ekosistemin ujor. [Duhet] një përgjegjësi institucionale për ta mirëmenaxhuar turizmin dhe për ta mbajtur të qëndrueshëm,” shprehet Aurora Piroviq, biologe dhe aktiviste mjedisore.

Në drejtim të mbrojtjes së vlerave natyrore dhe frenimit të ndikimit negativ që mund të ketë turizmi në ekosistemin e liqenit, veprojnë disa organizata mjedisore ne Shkodër, nga të cilat shpeshherë ndërmerren nisma dhe aksione veçanërisht për pastrimin e brigjeve të liqenit.

Ndotja nga plastika, ndërhyrjet urbane, si dhe peshkimi i paligjshëm janë ndër kërcënimet më të mëdha për ekosistemin e Liqenit të Shkodrës, një pasuri natyrore e përbashkët kjo mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Gazetar: Adrian Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme