Meloni telefonon Zelenskyn, presidenti ukrainas kërkon falje për operacionin në Libi: Italia nuk u informua

Botë | 1 minutë më parë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar falje kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për mungesën e koordinimit paraprak të operacionit ukrainas kundër një anijeje ruse në Libi.

Dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike, gjatë së cilës diskutuan për operacionin në Libi dhe mungesën e informimit të autoriteteve italiane për ndërhyrjen.

Gjatë bisedës, Meloni ka shpjeguar rëndësinë e koordinimit me partnerët evropianë, duke marrë parasysh kompleksitetin e situatës. Sipas raportimit, palët kanë rënë dakord që në të ardhmen të ketë komunikim më të ngushtë dhe që shërbimet e inteligjencës ukrainase të ndajnë paraprakisht më shumë informacione për operacionet e tyre.

Pas telefonatës, Zelensky konfirmoi përmes një postimi në rrjetin social X se operacioni i fundit në Libi ishte kryer pa koordinim paraprak me partnerët evropianë.

“Kam konfirmuar se operacioni i fundit në Libi u krye pa koordinim paraprak me partnerët tanë evropianë. Gjithashtu theksova angazhimin tonë për të siguruar që autoritetet të ndajnë të gjitha informacionet e nevojshme dhe të mbajnë komunikim të drejtpërdrejtë, të rregullt dhe efektiv”, shkroi presidenti ukrainas.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, mirëpriti sqarimet e Zelenskyt, duke deklaruar se kërkimfalja e tij i jep fund debatit lidhur me operacionin në Bengazi.

“Qeveria kurrë nuk ka gënjyer Parlamentin apo mediat për sulmet ukrainase në Bengazi. Kërkimfaljet e Zelenskyt qartësojnë përfundimisht gjërat”, shkroi Tajani.

Ai kritikoi gjithashtu akuzat e drejtuara ndaj qeverisë italiane dhe theksoi se politika e jashtme duhet të mbetet e bashkuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme