Përjashtimi i Listës Srpska nga zgjedhjet lokale, dorëzohet ankimimi në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Srpska, ka dorëzuar një ankesë në Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të mos e certifikojë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ky vendim ka shkaktuar një reagim të fortë nga Serbia, ku Ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq, e cilësoi atë si “një shembull flagrant të inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.
Përfaqësues të Listës Srpska e quajtën vendimin e KQZ-së “të paligjshëm dhe diskriminues”, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Kryetari i Listës Srpska, Zllatan Ellek, tha se ky veprim synon “të ndajë trupin politik serb” dhe shtoi se do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për të siguruar certifikimin e kandidatëve të tyre.
Vendimi i KQZ-së erdhi pasi anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit, duke argumentuar se eksponentë të Listës Srpska janë pjesë e strukturave paralele serbe, gjë që është kundërligjore. Ndërkohë, anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan.
Ky nuk është rasti i parë i një vendimi të tillë, pasi në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, PZAP kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së, duke i mundësuar Listës Srpska pjesëmarrjen.
Ky zhvillim ka shqetësuar edhe SHBA-në. E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i shprehu kryeministrit në detyrë Albin Kurti shqetësimin e saj, duke theksuar se “të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre”.
Zgjedhjet e 12 tetorit do të mbahen pas bojkotit të Listës Srpska në zgjedhjet e kaluara, gjë që rezultoi në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Kjo situatë krijon tension të ri politik dhe ngre pikëpyetje mbi procesin e ardhshëm zgjedhor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




