INSTAT: Turizmi në Shqipëri me rritje të ndjeshme gjatë muajve qershor dhe korrik 2025

Sipas të dhënave të INSTAT, sezoni turistik në Shqipëri ka shënuar rezultate pozitive në muajt qershor dhe korrik 2025, me një rritje të ndjeshme si në numrin e vizitorëve ashtu edhe në net-qëndrimet e tyre.
Në qershor, sektori i akomodimit pa një rritje prej 37.2% në numrin total të vizitorëve. Kjo rritje ishte veçanërisht e fortë në zonat bregdetare, ku vizitorët e huaj u rritën me 42.4%.
Lidhur me vizitorët e huaj rritja ishte prej 37.4%, ndërsa për vizitorët vendas rritja ishte prej 36.7%.
Sa përket net-qëndrimeve, ato u rritën me 38.2%, duke treguar se turistët po qëndrojnë më gjatë në vend.
Numri më i madh i turistëve të huaj ka ardhur nga Kosova (19%), Italia (13%), Polonia (10%), Gjermania (8%) dhe Franca (6%).
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 39.5%, një rritje nga 35.9% e vitit të kaluar, duke treguar një rritje të kërkesës për akomodim.
Të dhënat për korrikun 2025
Trendi pozitiv vijoi edhe në korrik, me një numër rekord prej mbi 1.82 milionë vizitorësh të huaj, një rritje me 0.4% nga viti i kaluar.
Rreth 95% e turistëve të huaj ishin nga kontinenti Evropian, ndërsa 99% e hyrjeve të huaja ishin për pushime dhe turizëm.
Hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale u rritën me 15.6%, duke treguar rëndësinë në rritje të Shqipërisë si destinacion ekonomik.
Në total, gjatë korrikut 2025, në Shqipëri u regjistruan 2.66 milionë hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj. Daljet nga vendi u rritën gjithashtu me 9.6%, duke treguar një dinamikë të lartë të qarkullimit ndërkombëtar. Këto shifra theksojnë potencialin në rritje të Shqipërisë si një destinacion kyç turistik dhe ekonomik në rajon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





