Universiteti i Korçës nis kursin e parë për udhërrëfyes lokal, Këshilli i Qarkut mbështet 20 të rinj

Aktualitet | 1 vit më parë

20 të rinj nga qarku i Korçës do të mbështeten nga Këshilli i Qarkut për t’u trajnuar përmes një kursi tremujor i cili do të zhvillohet në universitetin Fan Noli, për tu certifikuar më pas si udhërrëfyes lokalë.

Ky është një kurs i akredituar tashmë nga Ministria e Turizmit dhe Ministria e Arsimit, ndërsa pagesat për këtë vit do të mbulohen nga Këshilli i Qarkut të Korçës.

“Po e lançojmë për këtë sezon duke siguruar mbështetje për 20 të rinj që dëshirojnë të bëhen udhërrëfyes lokal për turizmin në rajonin tonë, duke përshirë gjithë territorin e qarkut Korçë”, deklaroi Kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, Erjon Nexhipi.

Përveç pagesës së tarifës së kursit Këshilli i Qarkut të Korçës synon të ofrojë edhe më shumë mbështetje për të rinjtë.

“Parashikon edhe trajnime që lidhen me anën praktike të ushtrimit të profesionit të guidës lokale. Parashikon trajnim për sipërmarrjen, për ti nxitur të rinjtë të jenë dhe sipërmarrës, për komunikimin dhe për përgatitjen e produktit turistik lokal që lidhet gjithmonë me guidën siç mund të jenë itineraret, story telling. Më të mirët do mbështeten për idetë që do paraqesin”, shtoi Nexhipi.

Të interesuarit mund të aplikojnë online deri më 5 shtator. Ata që plotësojnë kriteret do të kryejnë edhe një intervistë me specialistë të Këshillit të Qarkut të Korçës, ndërsa më 19 shtator do të nisë sezoni i parë i frekuentimit të programit të trajnimit. Ky është viti i parë i çeljes së kursit për udhërrëfyesit lokalë ndërsa mendohet që të vijojë edhe vitet e tjera.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme