Zgjidhet kriza politike në Kosovë, Dimal Basha merr drejtimin e Kuvendit

Kosovë | 1 vit më parë

Pas një ngërçi të gjatë politik, deputetët e Kosovës kanë zgjedhur sot (26 gusht) Dimal Bashën si kryetar të Kuvendit, duke i hapur rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re.

Dimal Basha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, u zgjodh me 73 vota pro, nga 115 deputetë të pranishëm në sallë, ndërsa 30 deputetë votuan kundër dhe 3 të tjerë abstenuan.

Po ashtu, deputetët kanë zgjedhur me 101 vota pro emërimin e tre nënkryetarëve Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, kandidatë të propozuar nga tre partitë më të mëdha politike në vend, Lëvizja Vetëvendosje dhe dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi po ngec te votimi i kandidatit të Listës Serbe për nënkryetar.

Me emërimin e 5 nënkryetarëve, Kuvendi i Kosovës arrin konstituimin e plotë të tij.

Dimal Basha: Të jemi të bashkuar për interesin kombëtar

Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Basha u bëri thirrje të gjithë kolegëve të tij deputetë, që përtej të gjitha ndasive politike, qëllimi për një Kosovë më të fortë e të bashkuar të jetë më i madh.

Basha theksoi se në fokus të punës së tij e të gjithë kolegëve deputetë, duhet të jetë mbrojtja e shtetit të së drejtës dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Shumica prej nesh dallojnë prej partinë, por duhet të jemi të bashkuar në objektivat tona, forcimi i shtetit të së drejtës e mbrojtja e sovranitetit e integritetit territorial.

Pres të kemi dallime si kryetar kuvendi, por edhe të bëhemi bashkë kur e kërkon interesi kombëtar, pres debat të hapur e respekt për njëri-tjetrin, përballje politike por me synimin për një Kosovë më të fortë, të drejtë e të bashkuar. Partitë i kemi ndryshe por Kosovën e kemi bashkë”, u shpreh ai.

Kush është Dimal Basha?

Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.

Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.” Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.

Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë.

Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.

Ngërçi politik në Kosovë

Ngërçi politik në Kosovë nisi pas seancës konstituive më 15 prill, e cila nuk u përmbyll deri më 26 gusht për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes partive politike.

Lëvizja Vetëvendosje, me 48 ulëse, dështoi të sigurojë shumicën për të zgjedhur Albulena Haxhiun si kryeparlamentare. PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe refuzuan të propozojnë anëtarë për Komisionin e Votimit të Fshehtë.

Pas disa vendimeve të Kushtetueses, duke përfshirë një masë të përkohshme, seanca nuk u përmbyll për shkak të mungesës së 61 votave të nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Basha u zgjodh pas disa dështimesh pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, i cili i urdhëron deputetët të konstituojnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme