Fundjava me reshje shiu dhe erë, sinoptikanët: Java tjetër nis me rritjen e temperaturave

Aktualitet | 1 vit më parë

Gjatë fundjavës, moti në të gjithë territorin e vendit pritet të jetë i paqëndrueshëm me shira dhe erë.

Sipas sinoptikanes së Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Besa Sherollari, dita e shtunë do të nisë me erë të fortë në disa zona dhe reshjet e shiut do të përfshijnë të gjithë territorin e vendit.

Dita e diel pritet të shoqërohet me ndryshime të ndjeshme të temperaturave.

“Fundjava pritet të jetë në ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura, vranësira të cilat do të pasohen nga reshje shiu. Duke filluar që në orët e para të mëngjesit, reshjet pritet të jenë prezente fillimisht përgjatë vijës bregdetare me intensitet të ulët e gradualisht do të shtrihen edhe në pjesën tjetër të territorit. Reshjet priten që në orët e mesditës dhe deri në orët e vona të mbrëmjes të jenë me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të vendit,” thotë sinoptikania.

Pavarësisht paqëndrueshmërisë së fundjavës, java pritet të nisë me mot të kthjellët.

“Duke filluar nga dita e diel dhe deri në mesin e javës tjetër pritet që era të jetë kryesisht nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare deri 7–8 m/s, duke bërë që edhe valëzimi, si në detin Adriatik, edhe në detin Jon të jetë i ulët, i forcës 1–2 ballë,” tregon znj. Sherollari.

Temperaturat në fillim të javës do të shënojnë rritje të lehtë, duke sjellë kushte më të favorshme atmosferike.

Gazetare: Bjolanda Cuku

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme