Rafting në lumin Vjosa, një atraksion gjithnjë në rritje për turistët e huaj

Aktualitet | 1 vit më parë

Sporti ujor i raftingut në lumin Vjosa vijon të mbetet një ndër aktivitetet që po ngjall interes të vazhdueshëm te turistët e huaj.

Promovimet e shumta që i janë bërë këtij lumi të njohur si një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë kanë shtuar ndjeshëm kuriozitetin dhe dëshirën e të huajve për ta vizituar dhe për të përjetuar eksperiencën unike që ofrojnë turet ujore.

“Është hera e parë për mua që vij në Shqipëri dhe që bëj rafting këtu në Vjosë. Është një sport tepër i veçantë dhe të jep një adrenalinë të jashtëzakonshme. Rrjedha e këtij lumi dhe natyra përreth janë mahnitëse.“

“Kam provuar sporte të ndryshme si ecje në terrene të vështira, kalërime etj. por raftingu të jep një tjetër emocion. Na bënë një tur për gati dy orë. Morëm emocione të mira dhe besoj që do të rikthehemi sërish për ta provuar këtë sport kaq të veçantë dhe një natyrë të mrekullueshme si kjo.“

Muajt korrik dhe gusht shënuan një rritje të ndjeshme të frekuentimit të këtij sporti, pohon Luka Gramo, operator turizmi me përvojë në Përmet.

“Këtë vit vrulli ka qenë nga korriku deri në gusht. Edhe maji ka pasur prurje, por korriku-gushti kanë pasur një prurje shumë të madhe,” thotë z. Gramo.

Raftingu në Vjosë po kthehet në një ndër simbolet e turizmit aventurier në Shqipëri, duke ndihmuar jo vetëm në promovimin e natyrës së egër shqiptare, por edhe në zhvillimin ekonomik të zonave përreth.

Gazetar: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme