Suvenire nga Korça – Vizitorët tërhiqen nga kultura, kulinaria dhe artizanati
Të shumtë janë turistët e huaj që këtë verë kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë, me një ndalesë të veçantë në Korçë.
Klima e favorshme, qetësia e qytetit, pasuritë natyrore e kulturore, si dhe kulinaria e veçantë, e bëjnë Korçën tërheqëse në çdo stinë të vitit. Shumë prej tyre nuk largohen pa marrë një kujtim, kryesisht prodhime vendase dhe punime artizanale që gjejnë në Pazarin e Vjetër.
Ne kemi takuar një familje franceze, që u ndal te qilimat e thurur në vegël, duke shprehur interes për këtë traditë shekullore e duke marrë me vete një prej tyre.
“Është hera e parë që e vizitoj Shqipërinë dhe veçanërisht Korçën. Më pëlqen shumë qyteti. Është i qetë, me kulturë dhe njerëzit janë jashtëzakonisht miqësorë. Pashë zonjën që po punonte qilimin dhe mendoj se është shumë e bukur të bësh punë dore dhe të përdorësh materiale tradicionale. Është e e rëndësishme që të ruhet kjo traditë. E njoh teknikën, por është hera e parë që e shoh drejtpërdrejt në një dyqan. Mendoj se punimet artizanale duhet të vlerësohen më shumë.“
Edhe në Markatën e Shijes kemi takuar një tjetër turiste e cila u mahnit nga produktet lokale, duke i konsideruar si suvenire unike.
“Korça na pëlqen shumë. Rastësisht e zbuluam këtë pazar dhe na pëlqyen shumë produktet lokale. Do të dëshironim të blinim shumë gjëra për t’i marrë me vete, por në avion nuk na lejojnë shumë. Gjithsesi do të marrim diçka.“
Korça, me historinë e saj, mikpritjen dhe ofertën kulturore e gastronomike, po e forcon gjithnjë e më shumë profilin e saj si një nga destinacionet më të preferuara turistike në juglindje të vendit, duke i dhënë vlerë jo vetëm turizmit, por edhe traditës vendase që ruhet e transmetohet brez pas brezi.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





