Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit të Kosovës, PDK dhe LDK refuzojnë pjesëmarrjen: Takimi antikushtetues

Kosovë | 1 vit më parë

Ndonëse të shtunën shpalli konstituimin e Kuvendit të Kosovës edhe pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb, kryeparlamentari Dimal Basha ka thirrur mbajtjen e mbledhjes së Kryesisë të hënën pas mesdite.

Takim konsultativ se si do ta vazhdojë punën Kuvendi i Kosovës,” thuhet tek pika e rendit të ditës sipas njoftimit të dërguar zyra e shtypit.

Në njoftim bëhet e ditur se në takim janë thirrur katër nënkryetarët e zgjedhur të parlamentit. Kryesia e re aktualisht përbëhet nga kryetari Dimal Basha dhe nënkryetarët Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilja Rexhepi.

Por Partitë që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, PDK-ja dhe LDK-ja, thanë se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e së hënës, pasi Kuvendi nuk është konstituuar.

Sipas tyre u shkel Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit, e cila thekson se seanca konstituive konsiderohet e përfunduar me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. 

PDK e konsideron të pakuptimtë ftesën për takim të Kryesisë së Kuvendit që nuk është konstituuar dhe nuk merr pjesë në takime të tilla, të cilat i shërbejnë vetëm agjendave partiake e jo interesit të shteti,” thuhet në njoftimin e PDK-së.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Basha ka konstatuar gabimisht se seanca është konstituuar, meqë Kushtetuta e thotë qartë që një gjë e tillë konsiderohet vetëm pasi të jenë zgjedhur të gjithë nënkryetarët.

Nuk marrim pjesë në çmenduri të tilla,” u shpreh ai.

Kryeparlamentari Basha tha legjislatura e nëntë të organit ligjvënës të vendit konsiderohet e konstituuar, pasi anëtarë të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe dhe as kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, nuk arritën të marrin votat e nevojshme në raundet e treta të votimit që u mbajtën për ta.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme