Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Mbahen homazhet në TKOB, regjisori do të prehet në vendin e lindjes

Film | 1 vit më parë

Janë mbajtur homazhet në nder të regjisorit të mirënjohur Dhimitër Anagnosti.

Familjarë, miq, kolegë, bashkëpunëtorë, figura të shumta të artit, kinemasë e politikës e nderuan figurën e të ndjerit Anagnosti.

Presidenti Bajram Begaj, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj; Kryeministri Edi Rama; ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja; Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro; Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi; Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla; kryedemokrati Sali Berisha; dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, i bënë homazhet “arkitektit” të kinematografisë shqiptare në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Regjisori Anagnosti do të prehet në banesën e tij të fundit në vendlindje, në Vuno të Himarës.


Mesazhi i Kryeministrit Rama në librin e ngushëllimeve për mjeshtrin e kinemasë shqiptare, Dhimitër Anagnosti:

“Jam i bindur që ke menduar shpesh për këtë ditë kur do të ndahesh përgjithnjë nga zhurma e qytetit e do të prehesh në Vunoin tënd, ku paqja e merituar do të jetë mbi ty. Me mall, Edi.”


Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë në homazhet për Anagnostin

Një ditë më parë, Presidenti Begaj e konsideroi Anagnostin “një tjetër yll që iu shkëput plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë”. Gjatë homazheve për nder të regjisorit të ndjerë, kreu i shtetit u shoqërua nga Zonja e Parë.


Timo Flloko: Korifeu i artit shqiptar do mbetet i paharruar ngahera

Aktori i mirënjohur Timo Flloko ka shprehur gjithashtu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të atij që e cilësoi si korifeun e artit shqiptar, Dhimitër Anagnosti. Flloko deklaroi se regjisori i ndjerë “do të jetojë” gjithnjë.

“Në Kinostudio shpërtheu kur pa një provë timen dhe tha: kamera. Dhe ne e xhiruam atë skenë.

Ato vargje të Nolit, ai ligjërim, ai shpërthim i takojnë atij sot si një homazh final. Ai është përherë këtu mes nesh, është korfie i artit shqiptar dhe do mbetet i paharruar ngahera”, tha Flloko.


Berisha: Ditë zie për artin, do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit

Ditë zie për artin e konsideron Kryedemokrati Sali Berisha ndarjen nga jeta të “Nderit të Kombit” Dhimitër Anagnosti.

Ndërsa shpreh ngushëllimet për familjen e regjisorit të ndjerë, Berisha shprehet se veprat dhe krijimtaria e Anagnostit do të jetojë gjatë në memorien e kombit shqiptar.

“Sot është një ditë e rëndë, ditë zie për artin, filmin kulturën e shqiptarëve, pasi përcjellim për në banesën e fundit një kolos të vërtetë të gjinisë krijuese artistike të kombit shqiptar, Dhimitër Anagnosti.

Ishte, është, njëri prej krijuesve regjisorëve, skenaristëve shkrimtar, më të shquar të vendit. Lë një trashëgimi në të cilën ai do jetojë për jetë të jetëve. Anagnosti ishte i pamëshirë në kërkim të përsosmërisë artistike në veprën e tij. Ai që në vitet ’90 me emrin, reputacionin e tij u angazhua në mbështetje të përmbysjes së diktaturës dhe forcave demokratike. Në dy legjislatura ishte deputet i PD-së dhe ministër kulture. Një personalitet i rrallë, i cili do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit. U shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Rozës, artistes së mrekullueshme, familjes së tij, miqve e kolegëve”, tha Berisha, pas homazheve ndaj regjisorit të ndjerë dhe mesazhit të lënë në Librin e Përshtypjeve.


Aktorja Ljarja: Filmat e mjeshtrit Anagnosti do të jenë të paharruar

Aktorja Marjeta Ljarja i shprehu ngushëllime familjarëve të regjisorit të ndjerë, ndërsa deklaroi se veprat e Dhimitër Anagnostit do të jenë të paharruara.

“E kam njohur shumë mirë Taon, rozën. Ka qenë mjeshtër, më vjen keq që largohet dhe po lë kaq shumë gjera që vetëm harresës mund të jetë mbi këtë emër dhe mbi këtë mjeshtër. Njeri serioz, këmbëngulës, pasionant. Filmat e tij do jenë të paharruar. Me Rikardin ka qenë mik i veçantë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! Nuk do të harrohet”, tha ajo.


Ministri Gonxhja: Korifeu i regjisë iku fizikisht, thesarin e la pas

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja shprehu keqardhjen për ndarjen nga jeta të korifeut të regjisë, ndërsa shtoi se trashëgimia që la pas, do kujtohet nga të gjithë brezat.

“Vërtet ndahet fizikisht një baba i kinemasë, një korife i regjisë, i artit, por është një ndarje që lë pas një thesar, një trashëgimi për të gjithë brezat, për jetën dhe veprën e tij, për t’u mbajtur mend përgjithmonë. I jemi këtu pranë yllit të tij, Roza Anagnostit, familjes, më të dashurve të tij, për t’i shprehur këtë përulje dhe këtë mirënjohje vërtet të thellë dhe shumë të lartë”, tha Gonxhja, pas homazheve të kryera ndaj regjisorit të ndjerë.


Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta ditën e djeshme (1 shtator) në moshën 89-vjeçare duke lënë në pikëllim jo vetëm familjen e tij, por të gjithë artëdashësit.

Në nderim të regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti, Qeveria shqiptare ka vendosur këtë të martë të shpallë ditë zie kombëtare datën 2 shtator. Në të gjithë vendin, flamujt do të ulen në gjysmështizë, ndërsa institucionet shtetërore do të zhvillojnë homazhe për nder të figurës së tij.

Dhimitër Anagnosti lindi në 23 janar 1936 në fshatin Vuno të Himarës. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kinooperator.

Anagnosti ishte një prej themeluesve dhe figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare, me shumë filma artistikë dhe dokumentarë që trajtojnë tema të rëndësishme shoqërore, historike dhe psikologjike. Anagnosti dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe më vonë si politikan. Skenarët e pothuajse të gjithë filmave të tij ai i shkroi vetë.

Në karrierën e tij 40-vjeçare, Anagnosti realizoi 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, fitoi mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Ai u nderua me titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti Bamir Topi në vitin 2011, si një nga regjisorët më të shquar të inematografisë shqiptare.

Ndër filmat e tij më të njohur janë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka, djali i Abazit”, me të cilin u nderua me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

/rtsh.al


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme