Qeveria shpall 2 Shtatorin ditë zie kombëtare në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti

Aktualitet | 1 vit më parë

Qeveria shqiptare ka vendosur këtë të martë të shpallë ditë zie kombëtare datën 2 shtator në nderim të regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave theksohet se “në të gjithë vendin, flamujt do të ulen në gjysmështizë, ndërsa institucionet shtetërore do të zhvillojnë homazhe për nder të figurës së tij”.

Homazhet në nder të Anagnostit, një prej themeluesve të kinematografisë shqiptare, do të mbahen në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit nga ora 10:00–13:00. Më pas do të bëhet përcjellja e tij për në banesën e fundit në vendin e lindjes, në Vuno të Himarës.

Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta të hënën (1 shtator). Ai ishte një prej themeluesve dhe figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare, me shumë filma artistikë dhe dokumentarë që trajtojnë tema të rëndësishme shoqërore, historike dhe psikologjike. Anagnosti dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe më vonë si politikan. Skenarët e pothuajse të gjithë filmave të tij ai i shkroi vetë.

Përgjatë karrierës 40-vjeçare, Anagnosti realizoi 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, fitoi mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Ai u nderua me titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti Bamir Topi në vitin 2011 dhe dhjetë vite më vonë Presidenti Ilir Meta e dekoroi kineastin e shquar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me rastin e 85-vjetorit të lindjes.

Ndër filmat e tij më të njohur janë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka, djali i Abazit”, me të cilin u nderua me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikës 12, të kapitullit VI, të ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Shpalljen ditë zie kombëtare të martën, datë 2 shtator 2025, në nderim të të ndjerit, Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare.
  2. Në ditën e zisë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
  3. Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e martë, datë 2.9.2025, nga ora 10:00 deri në orën 13:00.
  4. Në orën 10:00, datë 2.9.2025, në nderim të tij të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje.
  5. Radiotelevizioni Publik Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes së homazheve dhe ceremonialit shtetëror, të transmetojë muzikë funebre.
  6. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore ngrihet Komisioni i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, i cili në përbërje të ketë:
    – Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
    – Ministrin e Mbrojtjes;
    – Ministrin e Brendshëm;
    – Nënkryetarin e Bashkisë Tiranë;
    – Drejtorin e Protokollit të Shtetit;
    – Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
    – Komandantin e Gardës së Republikës së Shqipërisë;
    – Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare;
    – Përfaqësues nga kabineti i Kryeministrit;
    – Përfaqësues nga zyra e shtypit e Kryeministrit.
  7. Ngarkohet Protokolli i Shtetit që të krijojë dhe të drejtojë grupin e punës, përgjegjës për ndjekjen dhe zbatimin e masave organizative të homazheve dhe të ceremonialit shtetëror.
  8. Shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe të ceremonialit të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme