Kosovë – Gjykata Kushtetuese kufizon përkohësisht punën e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë

Kosovë | 1 vit më parë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deri në fund të shtatorit, Kuvendi nuk duhet të ndërmarrë asnjë hap për formimin e Qeverisë së re.

Për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të fundit nga komuniteti serb, Gjykata Kushtetuese, duke mbështetur pretendimet e deputetëve të këtij minoriteti, njoftoi të premten se përpjekjet e mëtejshme për konstituimin e Parlamentit po ashtu duhen ndalur plotësisht deri në datën 30 shtator.

Gjykata u shpreh se kjo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Megjithëse javën e kaluar, klasa politike zgjidhi ngërçin disamujor për sa i përket zgjedhjes së kryeparlamentarit, çështja nuk shkoi siç pritej me votimin e nënkryetarëve të Parlamentit, përkatësisht me atë nga minoriteti.

Asnjë nga kandidaturat e propozuara nga komuniteti serb nuk mori votat e nevojshme, por kreu i ri i Parlamentit, Dimal Basha, konsideroi se moszgjedhja e nënkryetarit nga pakica serbe nuk duhej të bllokonte konstituimin e Kuvendit.

Ky qëndrim i politikanit të Vetëvendosjes u kontestua nga deputetët e minoritetit serb, të cilët më 30 gusht iu drejtuan Kushtetueses për “cenim të rendit juridik dhe demokratik”. Ata argumentuan se me moszgjedhjen e kandidatëve të tyre, Parlamenti kreu shkelje të parimeve themelore kushtetuese, si barazia para ligjit, e drejta për një proces të rregullt dhe vetë procesi i votimit në Parlament.

Të ndalohen veprimet e mëtejshme kundërkushtetuese të Kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që të mos zgjidhet Qeveria kundërkushtetuese ose të fillojnë të rrjedhin afatet për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, për shkak se moscaktimi i masës së përkohshme do të shkaktonte dëme të pariparueshme dhe potencialisht do të çonte në formimin e institucioneve kundërkushtetuese, duke cenuar kështu rendin juridik dhe demokratik në Kosovë,” thuhet në kërkesën e deputetëve nga minoriteti serb, që iu dorëzua Kushtetueses.

Polemikat rreth konstituimit të Kuvendit ishin këto orët e fundit në qendër të diskutimeve mes kryeparlamentarit Basha, shefit të Zyrës së BE-së dhe ambasadorit britanik në Kosovë, ku perëndimorët theksuan nevojën për respektimin e proceseve kushtetuese, për institucione gjithëpërfshirëse dhe multietnike.

Edhe Kryesia e re e Kuvendit, e cila ishte njoftuar të mblidhej këtë javë me katër nënkryetarët e zgjedhur, u bojkotua nga përfaqësuesit e opozitës me arsyetimin se Kuvendi nuk është konstituar, ndryshe nga ç’ka deklaruar z. Basha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme