Durrësi, i rezervuar edhe në shtator, tur-operatorët të kënaqur me frekuentimin
Sezoni turistik në Durrës është zgjatur në kohë, me turistë që kanë rezervuar edhe përtej muajit shtator për pushime në bregdet.
Kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit në Durrës vlerëson se përmirësimi i standardeve dhe bashkëpunimi me strukturat vendore dhe ato të rendit kanë ndikuar ndjeshëm në këtë situatë, e cila përkthehet në favor të ekonomisë së vendit.
“Në Durrës ka pasur një situatë normale gjatë këtij sezoni turistik, i cili vazhdon ende. Të gjithë operatorët turistikë kanë qenë shumë të përgatitur, me stafet, adresat dhe të gjitha mundësitë që ofron Bashkia e Durrësit. Ajo që vlen të theksohet këtë vit është se menaxhimi i plazheve, si publike ashtu edhe private, ka qenë në një nivel të kënaqshëm”, tha ai.
Ndërkohë që operatorët turistikë vlerësojnë bashkëpunimin me të gjithë faktorët përgjegjës për mbarëvajtjen e sezonit, si pika shqetësuese të referuara nga pushuesit dhe që kërkojnë zgjidhje, ata rendisin trafikun në qytet, si dhe kushtet dhe oraret e transportit publik.
“Një studim i mirëfilltë i të gjitha rrugëve urbane të Durrësit do të ndihmonte për të mundësuar një qarkullim më të lehtë të mjeteve, pa krijuar trafik gjatë periudhave të pikut. Transporti urban, i cili kërkohet edhe nga turistët e huaj, duhet të jetë më mirë i menaxhuar dhe të ketë orare më të zgjatura gjatë sezonit veror“, shprehet ai.
Edhe këtë vit, Durrësi mbetet një atraksion i rëndësishëm turistik, jo vetëm për bukuritë natyrore dhe historike, por edhe për mikpritjen që ofrohet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





