Turizmi rural në Përmet, vizitorët kërkojnë eksperienca autentike

Aktualitet | 1 vit më parë

Zonat rurale të Përmetit po kthehen gjithnjë e më tepër në interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Jetesa e banorëve, e ndërthurur natyrshëm mes traditës dhe natyrës së virgjër, po lë një përshtypje të veçantë tek turistët, duke i nxitur ata të rikthehen apo të promovojnë zonën.

“Fatmirësisht, Përmeti ka një turizëm të shumëllojshëm. Baza e tij është kryesisht turizmi ‘outdoor’ (përk. i natyrës, peizazheve), gastronomik, kurativ, pse jo edhe natyror, ku të shijosh bukurinë e natyrës. Ka eksperienca unike për gatimet tradicionale, glikot, jetesën nëpër zonat rurale. Në fshatrat karakteristikë mund të shikosh të ndërthuret edhe arkitektura me jetën e banorëve të këtyre zonave,” thotë operatori i turizmit, Julian Elezi.

Disa destinacione veçohen për bukuritë e tyre natyrore, si dhe për trashëgiminë historike e kulturore që ofrojnë. Vizitorët gjejnë këtu një përvojë autentike që nuk gjendet lehtësisht në zonat urbane apo turistike më të njohura

“Në zonat rurale, destinacioni janë sidomos fshatrat karakteristikë, ku mund të përmendim Leusën, Bënjën, Buhalin, por edhe fshatrat në parkun kombëtar të Bredhit të Hotovës, Frashëri, Ogdunani, Ogreni,” thekson z. Elezi.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë vihet re një rritje prej rreth 30% në numrin e vizitorëve që kanë frekuentuar zonat rurale të Përmetit, çka tregon për një interes në rritje ndaj këtij lloj turizmi.

Gazetare: Leonida Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme