“AI” do të ndihmojë tregtinë botërore, OBT: Deri në vitin 2040 pritet një rritje prej 37%
Inteligjenca Artificiale pritet të rrisë me 37 për qind vlerën e tregtisë dhe shërbimeve globale deri në vitin 2040, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).
Në dokumentin me titull “Raporti Botëror i Tregtisë 2025”, thuhet se teknologjitë e AI po ndikojnë ndjeshëm në rritjen e produktivitetit dhe në përmbushjen më të lehtë të rregulloreve tregtare.
Përdorimi i saj do të ketë ndikimin më të madh në sektorin e shërbimeve digjitale, ndërsa mallrat që mundësojnë këtë teknologji, si gjysmëpërçuesit, kapën vlerën e 2,3 trilionë dollarëve në vitin 2023.
Megjithatë, OBT-ja paralajmëron se pa investime në arsim, infrastrukturë dhe politikë të përbashkët globale, AI mund të përkeqësojë hendekun mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra.
Drejtoresha e përgjithshme, Ngozi Okonjo-Iweala, thotë se shumë ekonomi rrezikojnë të mbeten pas nëse nuk mbyllet pabarazia në qasjen ndaj teknologjisë. Ajo thekson se fuqia punëtore e kualifikuar dhe infrastruktura digjitale janë të përqendruara vetëm në disa vende me të ardhura të larta.
Sipas saj, “AI ka potencial të madh për të ulur kostot e tregtisë dhe për të rritur eksportet e shërbimeve, por këto përfitime nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë”.
Raporti sugjeron bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar për të shmangur rritjen e pabarazisë ekonomike. Në të theksohet se vendet me të ardhura të ulëta duhet të përfshihen në mënyrë aktive në tregtinë digjitale globale.
Pa veprime konkrete dhe politika gjithëpërfshirëse, rritja e parashikuar në tregti mund të mos realizohet. Për këtë arsye, raporti u bën thirrje vendeve të investojnë më shumë në arsim dhe teknologji.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




