Turizmi i errët në Shkodër, Muzeu i Kujtesës sjell më afër brezat me të shkuarën
Shkodra është një qytet që ka potencial të madh për të zhvilluar një nga format më të veçanta, që është ajo e turizmit të errët.
Historia e dhimbshme e periudhës së diktaturës dhe kujtimet e saj mund të kthehen në një itinerar edukues e turistik.
“Duke qenë vetë qyteti i cili ka përjetuar më shumë goditje në diktaturën komuniste, sigurisht që është një mundësi mjaft e mirë për ta çuar më përpara këtë lloj turizmi të errët, i cili në vetvete, vetëm falë ekzistencës së Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës është një lloj pionieri në këtë aspekt, sepse ka arritur që të ndërtojë një lloj tradite, një pikë reference jo vetëm për ta çuar më para dhe për ta zhvilluar në rang lokal, por pse jo, edhe në rang kombëtar,” shprehet historiani Xherardo Nikjari.
“Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, i ngritur në ambientet e ish-Degës së Brendshme, tregon qelitë e izolimit, dhomat e hetuesisë dhe dokumente origjinale të asaj kohe. Çdo vizitë është një udhëtim në të shkuarën e errët të qytetit.
“Është muzeumi i parë, ose më saktë është memoriali i parë përkujtimor për viktimat e diktaturës komuniste. Në njëfarë forme këtë status vazhdon ta mbajë edhe sot e kësaj dite, sepse vazhdon të jetë edhe sot një muze i cili përkujton në mënyrë të posaçme viktimat e diktaturës komuniste më shumë sesa të dëftojë një histori të përgjithshme të komunizmit në Shqipëri,” thotë z. Nikjari.
Turizmi i errët mund të sjellë më shumë vizitorë gjatë gjithë vitit dhe ta kthejë Shkodrën në një qendër të rëndësishme kujtese dhe reflektimi.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





