Pogradeci zgjat sezonin turistik përtej verës, turistët vendas e të huaj vijojnë vizitat edhe në muajt tetor e nëntor
Pogradeci ka zgjatur sezonin turistik edhe gjatë muajit shtator, pasi turistët vendas dhe të huaj vijojnë të jenë të pranishëm në qytetin liqenor.
Sipas njësive akomoduese, ky muaj ka qenë i kënaqshëm, ndërsa ka kërkesa të shumta edhe për muajt tetor dhe nëntor, kryesisht nga grupe turistësh të huaj, por edhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.
“Kryesisht kemi rezervime nga turistë të huaj, ndërsa gjatë fundjavave kemi edhe pushues shqiptar. Turistët e huaj janë kryesisht nga Iralanda, Italia, Gjermania, Greqia. Gjithashtu kemi pasur edhe nga Spanja. Klientët vendas kryesisht kanë qenë nga Tirana, Elbasani, Durrësi, Vlora”, u shpreh operatorja turistike, Gloria Dumbo.
Turistët gjermanë shprehen të mahnitur me mikpritjen që u është bërë në Pogradec.
“Është hera ime e parë në Shqipëri dhe ajo që më pëlqen më shumë është vëmendja që na kushtoni. Na trajtoni shumë mirë me mikpritje të jashtëzakonshme.”
“Nata tradicionale shqiptare është e mahnitshme, kostumet, këngët dhe sidomos ushqimi këtu është thjeshtë i mrekullueshëm”, thanë disa turistë gjermanë në Pogradec.
Nga të dhënat e Bashkisë së Pogradecit bëhet me dije se numri i turistëve të akomoduar në 6-mujorin e parë të vitit ka arritur në 75 mijë, duke shënuar një rritje krahasuar me një vit më parë, si dhe janë shtuar ditët e qëndrimit të tyre.
“Rreth 5000 turistë kanë qenë më shumë sa i përket statistikave të krahasuara nga viti i kaluar. Në bazë të kontakteve që ne kemi pasur me strukturat akomoduese dhe me operatorët turistikë në Bashkinë Pogradec, na ka rezultuar që ky sezon turistik ka qenë vërtetë i mbarë”, u shpreh përgjegjësja e turizmit në Bashkinë e Pogradecit, Loridela Beqari.
Një tjetër fluks pritet të sjellin festat e nëntorit dhe të fundvitit, ndërsa çmimet vijojnë të mbeten të pandryshuara.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




