Vjosa në UNESCO, zyrtarisht pjesë e programit “Njeriu dhe biosfera”

Aktualitet | 1 vit më parë

Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë, tashmë ka hyrë në historinë e trashëgimisë botërore.

Me vendimin e UNESCO-s, ajo është përfshirë në programin “Njeriu dhe Biosfera”, duke u shpallur një pasuri që i përket jo vetëm Shqipërisë, por mbarë njerëzimit. Ky status i jep Vjosës një mbrojtje të veçantë dhe e kthen në një simbol të bashkëjetesës mes natyrës dhe njeriut.

“Ky status kaq i veçantë dhe kaq i bukur në thelb përkufizon vlerat unikale të këtij lumi të egër, të paprekur deri më sot; përkufizon ndërveprimet njerëzore të banorëve dhe të lumit, dhe natyrisht të kulturës së saj në të gjitha dimensionet, si shpirtërore, edhe materiale. Duke u përfshirë në listën e gati 130 vendeve, të cilat e kanë një status të tillë, përfshirjen në programin ‘Njeriu dhe Biosfera’, i shërbehet edhe ekonomisë,” tha aktivisti Aleks Toti.

Nga ana tjetër, operatorët turistikë që operojnë në këtë zonë pohojnë se ky vendim do të ndikojë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e turizmit.

“Kjo po ndihmon sidomos në promovimin e Përmetit, por jo vetëm të Përmetit, edhe zonat rreth e rrotull. Ka pasur përfitime nga ana monetare, por përpiqemi që përfitimet t’i investojmë që njerëzit ta njohin më shumë si luginë,” u shpreh operatori i turizmit, Luka Gramo.

Me shpalljen e Vjosës pjesë të UNESCO-s, Shqipëria forcon jo vetëm vlerat e saj natyrore, por edhe identitetin si një vend që di të mbrojë pasuritë e rralla.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme