Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor, Ibrahimaj: Po avancojmë me digjitalizimin e shërbimeve për t’i bërë gjithëpërfshirëse

Rajon | 1 vit më parë

Transformimi digjital në Shqipëri dhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk është thjesht një kërkesë e kohës, por edhe një domosdoshmëri në procesin e integrimit europian.

Për të çuar përpara këtë proces, përfaqësues të qeverive të gjashtë vendeve të rajonit u mblodhën në Shkup në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), i cili koordinon procesin, vlerëson si ndër hapat më të rëndësishëm heqjen e tarifave roaming mes vendeve të rajonit, por edhe uljen e ndjeshme te tyre me vendet e BE.

“Përdorimi i të dhënave te internetit nga telefoni u rrit me 495% vetëm gjashtë muaj pasi e prezantuam këtë iniciativë. Ky është një rezultat i madh, sepse është shumë i prekshëm për qytetarët dhe bizneset tona,” tha Amer Kapetanoviç, Sekretar i Përgjithshëm i RCC-së.

Shqipëria solli përvojën e saj për sa i përket digjitalizimit të shërbimeve publike.

“AKSHI po punon për të lançuar ‘e-Albania 2’, një platformë e cila do të reduktojë kohën e ofrimit të shërbimeve digjitale, e cila synon të jetë proaktive, ku shërbimet edhe propozohen, edhe ofrohen në një kohë më të shkurtër,” deklaroi ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Ndërkohë projektet e reja që u diskutuan në samit janë portofoli digjital rajonal, siguria kibernetike, zgjerimi i rrjeteve me fibra optike dhe mbështetja për startup-et dhe inovacionin digjital.

“Inovacioni digjital është diçka për të cilën po punojmë shumë, veçanërisht me të rinjtë sipërmarrës dhe startup-et. Duam të krijojmë edhe një fond inovacioni për Ballkanin Perëndimor, nga i cili do të financohen idetë e reja dhe startup-et,” tha z. Kapetanoviç.

Qëllimi i këtyre nismave është afrimi i Ballkanit Perëndimor me tregun e vetëm digjital të Bashkimit Evropian dhe përgatitja e qytetarëve e bizneseve për epokën e re teknologjike.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme