Siguria ushqimore, nga 6 në 1,945 analiza të akredituara, ISUV arrin standardet e BE-së

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) ka shënuar një transformim të thellë, duke zgjeruar në mënyrë drastike kapacitetet e tij analitike. Këtë e bëri të ditur Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë një vizite të zhvilluar të premten në ambientet e institutit.
Nga vetëm 6 analiza të akredituara në vitin 2013, sot ISUV numëron plot 1,945 teste të certifikuara, të cilat janë riakredituar sipas standardit ndërkombëtar ISO 17025:2017 dhe janë të vlefshme deri në vitin 2029.
Ministri Salla theksoi se: “Zgjerimi përfshin edhe 12 analiza të reja për substanca të ndjeshme, siç janë tetraciklinat në mjaltë dhe nitrofuranet në qumësht. Kjo arritje e vendos Shqipërinë në të njëjtin nivel kontrolli me vendet e Bashkimit Evropian për sa i përket sigurisë ushqimore.”
Gjatë vizitës, ministri u njoh me punën e përditshme të specialistëve që garantojnë sigurinë e zinxhirit ushqimor, “nga ferma në tryezën e çdo familjeje shqiptare”.
“Sigurojmë cilësi për konsumatorin, besim për fermerin dhe besueshmëri për produktet shqiptare në tregjet ndërkombëtare,” deklaroi ministri Salla, duke e lidhur këtë transformim me profesionalizmin e burimeve njerëzore dhe investimet e qëndrueshme.
Mbështetja ndërkombëtare dhe vizioni “Bujqësia 2030”
Ky fuqizim i ISUV-it mbështetet edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Veçohet projekti i Bankës Botërore, që po financon investime në 7 laboratorë rajonalë dhe 6 Pika të Inspektimit Kufitar (PIK), duke e forcuar rolin e ISUV-it si institucion kombëtar referencë.
Ministri Salla theksoi se këto përpjekje janë pjesë e vizionit “Bujqësia 2030”, i cili synon ngritjen e standardeve kombëtare të cilësisë.
Kjo është thelbësore edhe për përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 12 (Siguria Ushqimore) në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




















