Vrasja e gjyqtarit Kalaja, gjyqtarët dalin me një deklaratë të përbashkët: Të vendoset forcë e posaçme sigurie në gjykata

Pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, gjykatësit në vend kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për garantimin e sigurisë në gjykata dhe mbrojtjen e gjyqtarëve. Në përfundim të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Republikës, u prezantuan një sërë propozimesh konkrete për forcimin e sistemit gjyqësor në aspektin fizik, institucional dhe ligjor.
Gjyqtarët theksojnë se “asnjë akt dhune, kërcënimi apo fushatë urrejtjeje nuk do ta ndalë sistemin gjyqësor nga përmbushja e detyrës kushtetuese”.
“Ne, gjyqtarët e Republikës, nuk do të lejojmë më që heshtja të interpretohet si dobësi. Do të reagojmë me dinjitet dhe përgjegjësi. Nuk kërkojmë privilegje kërkojmë siguri, respekt dhe kushte për ushtrimin e ndershëm të detyrës”, thuhet në deklaratë
Po ashtu, ata ngrenë shqetësime për një klimë fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj gjyqtarëve, duke kërkuar “reagim të menjëhershëm” nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
“Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi të pavarur, nëse nuk garanton kushtet minimale për ushtrimin e saj. Siguria në gjykata është kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës”, theksohet në deklaratë.
Në kujtim të gjyqtarit Kalaja, ata kërkojnë që ai të shpallet “Dëshmor i Atdheut” dhe që salla e Mbledhjeve të Gjyqtarëve pranë godinës së KLGJ të marrë emrin e tij.
Masa të propozuara për sigurinë gjyqësore
Gjyqtarët kërkojnë:
- Vendosjen e një force të posaçme sigurie në të gjitha gjykatat e vendit.
- Hartimin dhe zbatimin e një Platforme Kombëtare për Sigurinë e Gjyqtarëve dhe Gjykatave, me protokolle të qarta reagimi ndaj incidenteve.
- Krijimin e një Grupi Ndërinstitucional me përfaqësues nga KLGJ, KLP, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, për organizimin e një Forumi Kombëtar për Sigurinë Gjyqësore.
- Miratimin e masave konkrete për garantimin e sigurisë fizike dhe kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor.
- Ndërhyrje në ligjet dhe aktet nënligjore për të garantuar mbrojtje fizike, jetësore, shëndetësore dhe pasurore për gjyqtarët dhe stafin gjyqësor.
Infrastrukturë moderne dhe standarde të reja sigurie
Përveç masave të menjëhershme, gjyqtarët kërkojnë:
- Miratimin e një strategjie kombëtare për ndërtimin e godinave të gjykatave në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
- Inspektim kombëtar të gjykatave për të vlerësuar sigurinë, aksesin dhe kushtet e punës.
- Standardizim të procedurave të sigurisë dhe trajnime të posaçme për menaxhimin e krizave.
- Pajisjen e të gjitha gjykatave me skanerë dhe detektorë për kontrollin e hyrjeve dhe garantimin e sigurisë.
Përgjegjësi dhe veprim institucional
- Nxitje për KLGJ që të ushtrojë me forcë mandatin kushtetues.
- Kërkesë që Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës në gjykata.
- Angazhime morale e profesionale të gjyqtarëve
- Përkushtim për gjykim në kohë, vendime të arsyetuara dhe qëndrueshmëri në jurisprudencë.
- Pranim i përgjegjësisë për forcimin e brendshëm të sistemit si themel i autoritetit moral të drejtësisë.
Sadushi: S’ka drejtësi të pavarur pa sigurinë e gjyqtarëve
Një vrasje të paralajmëruar e konsideroi kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit. Në fjalën e tij në mbledhjen e Gjyqtarëve të Republikës, Sadushi deklaroi se vrasja e gjyqtarit Kalaja është goditje në themel e drejtësisë.
Sipas tij, nuk mund të ketë shtet të së drejtës, drejtësi të pavarur dhe dinjitet institucional përsa kohë nuk garantohet siguria e gjyqtarëve.
“Vrasja e kolegut tonë, gjyqtarit Astrit Kalaja, nuk është thjesht një ngjarje e rëndë kriminale. Ajo është një goditje në themel të asaj që përfaqëson drejtësia, një plagë e hapur në ndërgjegjen tonë si njerëz dhe si gjyqtarë. Është një akt që ka tronditur jo vetëm trupën gjyqësore, por edhe shtetin, sepse ndodhi aty ku ligji duhet të jetë më i fortë, në sallën e gjyqit, vendin ku drejtësia merr formë dhe ku qytetari kërkon mbrojtje. Dhe pikërisht aty, ku duhej të mbretëronte ligji, ndodhi e pamendueshmja. Kjo është një vdekje e paralajmëruar.
Nuk mund të ketë shtet të së drejtës kur gjyqtari punon pa siguri. Nuk mund të ketë drejtësi të pavarur kur godina e gjykatës është në gjendje të mjerueshme. Nuk mund të ketë respekt për drejtësinë kur gjyqtari dhe qytetari hyjnë në të njëjtën derë, presin në të njëjtin korridor dhe zhvillojnë gjyqin në një zyrë pa audio e pa video, në kushte që nuk garantojnë as siguri, as solemnitet, as dinjitet institucional”, deklaroi Sadushi.
Ndalur te fyerjet, kërcënimet e denigrimet ndaj gjyqtarëve prej politikanëve, Sadushi nënvizoi nevojën për një përfaqësim të denjë të zërit të gjyqësorit nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Sipas tij, heshtja e KLGJ (si organi përgjegjës për qeverisjen e sistemit) është e papranueshme.
“Prej vitesh, gjyqtarët janë bërë shënjestër e fyerjeve, kërcënimeve dhe denigrimeve. Në vend që të mbrohej pavarësia e gjyqësorit, është goditur autoriteti i tij. Në këtë kakofoni zërash, politikanë të lartë të vendit, të pushtetit apo të opozitës, ndjejnë sot lehtësi për të fyer, anatemuar apo tallur gjyqtarin që merr një vendim, ndoshta edhe pa e lexuar arsyetimin, pa pritur ankimin dhe pa respektuar hierarkinë gjyqësore.
Gjyqësori ka nevojë për një zë institucional që të reagojë me dinjitet, maturi dhe forcë, sa herë që cenohen gjyqtarët dhe autoriteti i drejtësisë, sepse kur heshtet përballë padrejtësisë, humbet besimi.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organi përgjegjës për qeverisjen e sistemit, nuk mund të heshtë shumicën e kohës dhe të reagojë vetëm ndonjëherë, kur situata bëhet e papërmbajtshme. Kjo qasje është e pakuptueshme dhe e papranueshme”, theksoi Sadushi.
Kreu i Gjykatës së Lartë deklaroi se KLGJ ka neglizhuar detyrimin ligjor për garantimin e kushteve të ushtrimit të funksionit gjyqësor, modernizimin e godinave, plotësimin e burimeve njerëzore e infrasrukturore.
“Ka vonesa të pajustifikueshme në emërime, në ngritje në detyrë, në ndarjen e ngarkesave të punës. Ka mungesë koordinimi me organet e tjera kushtetuese dhe ligjore. Askush nuk flet për sigurinë, për kushtet e punës, për dinjitetin e gjyqtarit”, theksoi Sadushi.
Dvorani: Të ngrihet një infrastrukturë tërësisht e re gjyqësore
Nga ana e tij zv.kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Ardian Dvorani ndërsa dënoi ngjarjen tragjike si një tronditje të besimit në digurinë e institucioneve të drejtësisë, vuri theksin te nevoja për ndërtimin e një plani institucional për ngritjen e një infrastrukture tërësisht të re gjyqësore dhe një protokolli të unifikur e funksional reagimi të menjëhershëm ndaj akteve të dhunës e kërcënimeve ndaj gjyqtarëve.
“Mungesa e kapaciteteve fizike dhe organizative të përshtatshme, vonesat në përmirësimin e kushteve të punës, mungesa e burimeve financiare dhe atyre njerëzore, sidomos e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për funksionimin normal të kësaj gjykate. Është koha të ndërtojmë një plan institucional për ngritjen e një infrastrukture tërësisht të re gjyqësore, duke e parë sigurinë jo si një shpenzim, por si një investim për drejtësinë dhe për jetën.
Së dyti, nevojitet një protokoll i unifikuar dhe funksional reagimi të menjëhershëm ndaj çdo akti dhune apo kërcënimi ndaj gjyqtarëve dhe familjeve të tyre. Ky është një detyrim institucional që kërkon bashkërendim mes Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Eshtë e domosdoshme të krijohen mekanizma të posaçme si: trajnime për sigurinë personale, mbrojtja e të dhënave personale të gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre nga publikimi në internet, si dhe sigurimi i burimeve të qëndrueshme buxhetore për sigurinë fizike dhe digjitale”, deklaroi Dvorani në fjalën e tij.
Po ashtu, ai nënvizoi se një gjyqësor i pasigurt, i pambrojtur dhe i pavlerësuar, sjell pashmangshymërisht dobërimin e shtetit dhe rendit kushtetues, si një prej tri nga shtyllat themelore të shtetit të së drejtës.
Dvorani vuri theksin gjithashtu dhe te gjuha e urrejtjes, duke e konsideruar si një plagë e cila duhet të ndalohet në mënyrë të menjëhershme. Ai shtoi se kjo gjuhë urrejtje ushtrohet shprsh ndaj gjyqtarëve, qoftë nga përfaqësues të pushteteve të tjera, qoftë nga zëra publikë apo qytetarë të nxitur nga mosbesimi.
“Kërkohet një reagim i menjëhershëm dhe i përgjegjshëm nga të gjitha pushtetet – ekzekutivi, legjislativi dhe organet e drejtësisë – për të siguruar kushte dinjitoze për ushtrimin e detyrës, si dhe për të siguruar mbrojtjen e gjyqtarëve në çdo nivel.
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm sot përballet me mungesën totale të infrastrukturës dhe kushteve të punës që nuk tejkalojnë as pragun minimal të standardeve europiane. Këto çështje ende të pazgjidhura, si dhe trajtimi social i gjyqtarëve kërkojnë zgjidhje urgjente, jo thjesht diskutim periodik”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




