Kuvendi i Kosovës nuk miraton qeverinë e re, Kurti nuk siguron 61 votat e nevojshme
Kuvendi i Kosovës nuk arriti të miratojë qeverinë e re gjatë seancës së jashtëzakonshme të mbajtur këtë të diel (26 tetor), duke lënë vendin në një situatë të pasigurt institucionale. Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, njoftoi në fund të votimit se 56 deputetë votuan pro, 52 vota ishin kundër dhe katër abstenime.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, prezantoi kabinetin dhe programin qeverisës të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, por nuk siguroi mbështetjen e nevojshme prej 61 votash në Kuvend.
Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se asnjë parti parlamentare nuk ka pranuar të hyjë në koalicion, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura për krijimin e një shumice qeverisëse.
“Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e Qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa shumë institucione funksionale, pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimit me barna, furnizimin e organeve të rendit dhe sigurisë. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara”, deklaroi Kurti.
Në mungesë të një marrëveshjeje për formimin e qeverisë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të thërrasë partitë parlamentare për konsultime të reja, në përpjekje për të identifikuar një alternativë që mund të sigurojë shumicën.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2020, mandati për formimin e qeverisë mund t’i kalojë edhe partisë së dytë më të madhe në Kuvend, që në këtë rast është Partia Demokratike e Kosovës. Nëse as kjo përpjekje nuk rezulton e suksesshme, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Kosova drejt zgjedhjeve të reja, PDK: S’do tentojmë për të bërë shumicë, nuk është e mundur
Kosova duket se po shkon drejt zgjedhjeve të reja, pasi pas dështimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të siguruar 61 vota për formimin e qeverisë së re, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se nuk do të tentojë krijimin e një shumice parlamentare.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se në rast se presidentja Vjosa Osmani e fton për konsultime, do të konfirmojë se partia nuk ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë.
“Nëse na fton presidentja nesër, pyetja e saj do të jetë ‘a keni shumicë’, unë do t’i përgjigjem menjëherë që jo dhe nuk do të tentojmë për ta bërë një shumicë të re sepse një gjë e tillë nuk është e mundshme”, tha Krasniqi.
Me dy partitë kryesore jashtë mundësisë për të krijuar qeveri, skenari më i mundshëm është shpallja e zgjedhjeve të reja.
Krasniqi: Koha e fjalëve ka marrë fund. Abdixhiku: S’duam debat, mateni veten me vota
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka arritur të sigurojë një marrëveshje për koalicion, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë bërë të qartë se nuk do të votojnë pro qeverisë së re të prezantuar prej tij.
Përfaqësuesi i PDK-së në Kuvend, Memli Krasniqi u shpreh se seanca e thirrur për votimin e qeverisë së re u shndërrua në një ekspoze për punën e qeverisë së kaluar, duke e cilësuar si një tekst imagjinar dhe duke akuzuar Vetëvendosjen për bllokim institucional prej më shumë se tetë muajsh.
“Ka mbi 8 muaj që jemi të bllokuar nga sjelljet arbitrare të partisë që ka fituar shumicën e votave. Koha e fjalëve ka marrë fund. Zoti Kurti, hidh në votim qeverinë e re,” tha ai.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikoi ashpër mënyrën e trajtimit të seancës, duke theksuar se mandatari e pranoi që në fillim se nuk ka shumicë, ndërsa shtoi se mungesa e transparencës dhe e dinjitetit politik ka çuar në shkelje të përsëritura të Kushtetutës.
“LDK nuk sheh asnjë kuptim në debat, kur mandatari pranon se nuk ka numrat. Nuk jemi këtu për një ligj të zakonshëm, por për të votuar një qeveri. Çdo arsyetim tjetër është dorëzim drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme,” u shpreh Abdixhiku.
Kabineti i ri qeveritar i prezantuar nga Kurti
- Zëvëndëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës – Glauk Konjufca
- Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla
- Zëvëndëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim Ekonomik – Fikrim Damka
- Ministër i Financave dhe Ekonomisë – Hekuran Murati
- Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale – Andin Hoti
- Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci
- Ministër i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla
- Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitija
- Ministër i Arsimit dhe Shkencës – Avni Zogjani
- Ministër i Kulturës dhe Turizmit – Avni Spahiu
- Ministër i Sportit dhe Rinisë – Blerim Gashani
- Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal – Rasim Demiri
- Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolii
- Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Armend Muja
- Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit – Dimal Basha
- Ministër i Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane – Mimoza Kusari
- Ministre e Energjisë dhe Minierave – Artane Rivzanolli
- Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenad Rashiq
- Ministër për Zhvillim Rajonal – Sejnur Veshaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




