Kurti nuk siguroi koalicion, Krasniqi: Koha e fjalëve ka marrë fund. Abdixhiku: S’duam debat, mateni veten me vota

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka arritur të sigurojë një marrëveshje për koalicion, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë bërë të qartë se nuk do të votojnë pro qeverisë së re të prezantuar prej tij.
Përfaqësuesi i PDK-së në Kuvend, Memli Krasniqi u shpreh se seanca e thirrur për votimin e qeverisë së re u shndërrua në një ekspoze për punën e qeverisë së kaluar, duke e cilësuar si një tekst imagjinar dhe duke akuzuar Vetëvendosjen për bllokim institucional prej më shumë se tetë muajsh.
“Ka mbi 8 muaj që jemi të bllokuar nga sjelljet arbitrare të partisë që ka fituar shumicën e votave. Koha e fjalëve ka marrë fund. Zoti Kurti, hidh në votim qeverinë e re,” tha ai.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikoi ashpër mënyrën e trajtimit të seancës, duke theksuar se mandatari e pranoi që në fillim se nuk ka shumicë, ndërsa shtoi se mungesa e transparencës dhe e dinjitetit politik ka çuar në shkelje të përsëritura të Kushtetutës.
“LDK nuk sheh asnjë kuptim në debat, kur mandatari pranon se nuk ka numrat. Nuk jemi këtu për një ligj të zakonshëm, por për të votuar një qeveri. Çdo arsyetim tjetër është dorëzim drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme,” u shpreh Abdixhiku.
Në mungesë të një shumice parlamentare, vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa strukturat institucionale mbeten të bllokuara. Presidentja e Kosovës pritet të ndërmarrë hapat e radhës në përputhje me Kushtetutën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




