Lehtësi fiskale për të nxitur investimet në zonat malore, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, prezanton “Paketën e Maleve”

Aktualitet | 11 muaj më parë

Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, prezantoi zyrtarisht sot “Paketën e Maleve”, një nismë e qeverisë e cila synon të stimulojë zhvillimin ekonomik dhe punësimin në zonat malore të Shqipërisë përmes lehtësimeve fiskale dhe mbështetjes konkrete për sipërmarrjet.

Gjatë një takimi me aktorë kyç të zhvillimit rajonal dhe ekspertë të fushës, Ministri Demo theksoi se paketa është një “mundësi e re për sipërmarrësit që duan të investojnë në Shqipëri”. Ai theksoi se nisma do të “hapë rrugën kujtdo që dëshiron të zhvillojë potencialet e zonave ku natyra është më bujare, duke sjellë jetë të re në komunitete që deri dje ishin të pashfrytëzuara.”

Paketa përmban tre shtylla kryesore të mbështetjes:

Lehtësi fiskale, për investitorët që zgjedhin zonat malore.

Ndihmë direkte për bizneset, si ato vendase ashtu edhe ato të huaja.

Masa për të ruajtur ekuilibrat natyrorë përmes një modeli zhvillimi të qëndrueshëm.

Demo shtoi se qëllimi kryesor është kthimi i pasurive natyrore në “motor zhvillimi për komunitetet lokale, duke krijuar vende pune dhe duke e çuar Shqipërinë e maleve aty ku duhet të jetë – në majë.”

Sektorët dhe zbatimi

Zbatimi i “Paketës së Maleve” do të jetë një proces i koordinuar mes Ministrisë, pushtetit vendor dhe organizatave të zhvillimit rajonal. Sektorët kryesore në fokus do të jenë:

Turizmi malor

Agroturizmi

Prodhimet tradicionale

Energjia e rinovueshme

Kjo nismë konsiderohet një hap vendimtar për balancimin e zhvillimit ekonomik mes zonave urbane dhe atyre rurale, duke synuar të pozicionojë Shqipërinë si një destinacion tërheqës për turizmin natyror dhe investimet e qëndrueshme.

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme