Annette dhe Colette, dy mikesha nga Irlanda zgjedhin Ksamilin për pushime në vjeshtë
Annette dhe Colette, dy mikesha nga Irlanda kanë zgjedhur Ksamilin për pushimet e tyre të këtij viti. E panë Ksamilin në rrjetet sociale dhe pas një udhëtimi të gjatë, ato mbërritën në bregdetin e jugut për të shijuar diellin dhe natyrën shqiptare.
“Ne vijmë nga Irlanda, për të bërë pushime në këtë periudhë të vitit, në vjeshtë, na pëlqen të largohemi diku. Udhëtuam për në Korfuz dhe më pas erdhëm në Shqipëri. Kisha dëgjuar për Ksamilin, e përshkruanin si Maldivet e Europës, dhe doja të shihja nga afër“, tha turistja.
“Edhe pse është jashtë sezonit, ne e preferojmë kështu. Mendoj se sezoni duhet të zgjatet deri në fund të tetorit. Ksamili duhet të promovohet më shumë sepse duhet të njihet më tepër . Nuk kisha dëgjuar më parë për Shqipërinë, vetëm nga miqtë e mi. Pra, nuk promovohet në Irlandë dhe duhet të promovohet tashmë pasi është vend i mrekullueshëm. Ne e pamë nga fotografit në rrjetet sociale”, shprehet turistja.
Për to, Ksamil ishte zgjedhja e duhur për një pushim të qetë e relaksues. Ato shprehen se kanë gjetur gjithçka që kërkonin ujëra të kristalta, plazhe me rërë të imët dhe gatime të shijshme tradicionale. Miqësia e vendasve dhe qetësia e zonës i kanë bërë të ndihen si në shtëpi.
“Është më mirë se sa e prisnim. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe të mrekullueshëm. Thjesht fantastikë. Ushqimi është gjithashtu i shkëlqyer. Po, padyshim, mendojmë të kthehemi sërish në majin e ardhshëm. Mbrëmë hëngrëm ushqime deti dhe në darkë provuam ushqim tradicional, patëllxhanë të mbushur. Ishte fantastike” vlerëson turistja.
“Këtu është rreth gjysma e çmimit krahasuar me vendin tonë. Edhe shërbimi, cilësia e hoteleve dhe mundësitë që ofrohen janë një avantazh i madh. Jemi vërtet shumë të impresionuar. Mund të shijosh detin dhe diellin“, shprehet turistja.
Pas pesë ditësh në Ksamil, dy mikesha nga Irlanda thonë se do ta kujtojnë me dashuri këtë udhëtim. Ato premtojnë se do të kthehen sërish, këtë herë bashkë me miqtë e tyre, për të ndarë bukurinë dhe ngrohtësinë që ofron jugu i Shqipërisë.
Gazetare: B.Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





