Buxheti 2026/ 108.8 miliardë lekë për Shëndetësinë, më shumë shërbime dhe barna të rimbursueshme nga shteti

Shëndetësia do të ketë më shumë fonde për shërbimet dhe barnat gjatë vitit 2026. Me një buxhet prej 108.8 miliard lekësh, ose 12.3% të buxhetit të shtetit, ky sektor do të shpenzojë 4.3 miliard lekë më shumë se vitin e kaluar. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala tha në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë se 79.5 miliard lekë do t’i marrë Shëndetësia ndërsa 29.3 miliard lekë Mirëqenia Sociale. Për herë të parë ky buxhet do të mbulojë plotësisht rimbursimin e barnave onkologjike.
“Rimbursimit të barnave në Listën e Barnave të Rimbursueshme (FOND), ka një shtesë prej 900 milionë lekësh. 500 milionë lekë janë të dedikuara për barnat onkologjike. Këto barna shkojnë për rreth 400 mijë pacient. Aktualisht lista e barnave e përditësuar ka 1,345 barna në total, nga 1,191 që ishin në listën e mëparshme”, tha ministrja Sala.
Për herë të parë spitalet do të financohen për disa shërbime shumë jetike.
“300 pacientë që do të marrin shërbimin e Trombektomisë në QSUNT, me një vlerë financimi 480 milion lekë. 350 pacientë që do tu ofrohet për herë të parë rikonstruksioni i gjirit, me një vlerë financimi 70 milionë lekë. 50 pacientë që do t’u ofrohet për herë të parë procedura e transplantit të kornesë, me një vlerë 25 milionë lekë”, tha ajo.
Ministrja siguroi se do vijojë financimi i programit të check-up me 699 milionë lekë, rimbushim i fishave të diabetit me 166 milionë lekë, dializa me 2.6 miliardë leke, koncesioni i laboratorëve me 2 miliardë lekë.
Një lajm i mirë ishte rikthimi i transplantit të veshkave ku 22 pacientë do të trajtohen me paketën e transplantit renal, me një vlerë financimi 23 milionë lekë.
Krahas këtyre financimet do të shkojnë edhe në godina të reja për shërbimet shëndetësore. Ky buxhet pritet të përballet me tre sfida: rritja e moshës mesatare, rritja e sëmundjeve kronike dhe përdorimi i inteligjencës artificiale.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




