Shtyhet seanca paraprake në GJKKO, Veliaj kërkon kohë për t’u njohur me aktet: Akuza e ngritur në 60 mijë faqe pa akses

Është shtyrë për në datë 5 dhjetor në orën 09:00 seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për Kryebashkiakun Erion Veliaj.
GJKKO ka pranuar kërkesën e artikuluar nga Veliaj për mk shumë kohë për t’u njohur me aktet. Kryebashkiaku ka qenë sot i pranishëm në sallën e gjyqit, ku e ka konsideruar absurd tragjikomik vonesën e vënies në dispozicion të dosjes ndaj tij.
Ai theksoi se vonesa dhe pengesat e vazhdueshme, sipas tij, krijojnë panoramën e një paragjykimi të plotë të çështjes.
“Gjatë gjithë këtyre muajve kam kërkuar vetëm të drejta elementare, të drejta që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia garanton çdo qytetari pa përjashtim, por që mua, deri më sot, nuk më është bërë e mundur ti ushtroj. Kam kërkuar dinjitet dhe të kem akses të plotë, të pakufizuar dhe real, si dhe kohën e kushtet e nevojshme për të lexuar aktet, provat dhe çdo deklarim mbi të cilat është ndërtuar akuza që më ka sjellë para Jush dhe më ka vendosur në izolim.
Fakti që është dashur një kohë kaq e gjatë për të më vënë në dispozicion një dosje që është bërë jo vetëm shkak i heqjes së lirisë sime, por edhe i largimit faktik nga ushtrimi i funksioneve të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, po kthehet në një absurd tragjikomik. Dhe këtë e them me shumë keqardhje dhe me respekt të plotë për këtë gjykatë: vonesa dhe pengesat e vazhdueshme krijojnë panoramën e një paragjykimi të plotë të çështjes, si dhe të trajtimit të të drejtave të mia kushtetuese jo si detyrime solemne të shtetit, por si pengesa që duhen anashkaluar në funksion të një procesi, që duket sikur kërkohet të zhvillohet shpejt, të mbyllet shpejt dhe të dëgjohet sa më pak”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi më tej në seancë se, një akuzë e ndërtuar mbi rreth 60 mijë faqe, po përdoret jo për të zbardhur të vërtetën, por për të bërë të pamundur ushtrimin e së drejtës së tij kushtetuese për t’u mbrojtur.
“Fakti që mua personalisht, nuk më është vënë ende në dispozicion një kopje fizike e akteve, si dhe koha minimale për t’u njohur me një akuzë të ndërtuar mbi rreth 60 mijë faqe, flet qartë për fatin procedural që po i përgatitet këtij procesi. Një volum i tillë dokumentesh, që do të kishte sfiduar edhe gjykimet më të rënda të historisë moderne nga Nurembergu deri tek Tribunali i Tokios, po përdoret këtu jo për të zbardhur të vërtetën, por për të bërë praktikisht të pamundur ushtrimin e së drejtës sime kushtetuese për t’u mbrojtur. Në këto kushte, është e qartë se procesi rrezikon të humbasë karakterin e tij gjyqësor dhe të kthehet në një procedurë formale ku volumi i akteve zëvendëson dijeninë, ndërsa mungesa e aksesit zëvendëson mbrojtjen.”, theksoi ai.
Në këtë fazë, gjykata pritet të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim apo nëse dosja do t’i rikthehet SPAK-ut për hetime të mëtejshme.
Seanca paraprake e mëparshme u shty, pasi pala mbrojtëse kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me aktet e dosjes.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



