“Mirëmëngjes Shqipëri” – Analistët: Vizita e Elisa Spiropalit në Athinë hap një kapitull të ri në marrëdhëniet shqiptaro-greke
Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, George Gerapetritis, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë më 16 dhe 17 dhjetor.
Vizita e saj ka rikthyer në vëmendje çështjet e hapura mes dy vendeve, duke sjellë një ton më pozitiv në komunikimin diplomatik dhe duke u perceptuar si një hap drejt një perspektive të re strategjike mes Tiranës dhe Athinës.
E shoqëruar me pritje të nivelit të lartë dhe pasqyrim pozitiv në media, duket se vizita ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet shqiptaro-greke, duke krijuar premisa për një bashkëpunim strategjik dhe një perspektivë të përbashkët evropiane.
Ky zhvillim u analizua edhe nga avokati Etmond Guri dhe analisti Aleksandër Çipa, në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” të cilët vlerësuan se vizita ka sjellë një frymë të re në raportet mes dy vendeve.
Avokati Etmond Guri, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Athina, komentoi pasqyrimin e mediave greke për këtë vizitë, duke e cilësuar më të qetë dhe më diplomatike se herët e tjera.
“Vizita e Spiropalit në Greqi ka pasur një qasje më pozitive në median greke. Kjo u duk sepse pati një ton më të qetë, më të butë dhe shumë më diplomatik se sa herët e tjera. Sepse fatkeqësisht Shqipëria konsiderohet si një vend problematik dhe për efekt klikimesh mediat e përdorin këtë dhe për interesat politike. Por dukej se këtë herë diplomacia pati një qasje tjetër dhe kjo u pa që para se të zhvillonte takimin, ministrja Spiropali dha një intervistë. Duket që sipas deklaratave publike si nga ministri i Jashtëm i Greqisë, pritjes që i bëri Presidenti i Greqisë duket një frymë e re pas dy viteve ku marrëdhëniet mes dy shteteve kishin një periudhë të ngrirë dhe arritën pikën zero,” u shpreh Guri.
Ai shtoi se palët tashmë kanë kuptuar se duhet të kenë një qasje të re, duke lënë pas folklorizmat dhe ideologjitë e prapambetura ballkanike.
“Edhe Greqia e ka kuptuar që nuk mund të shkohet para me folklorizmat apo me ideologji të prapambetura ballkanike. Ndaj mund të themi se duket një frymë e re dhe kjo u pa dhe nga takimi që zhvilloi mbrëmjen e djeshme me diasporën shqiptare,” tha ai.
Avokati Etmond Guri, i cili prej vitesh jeton në Greqi, e cilësoi vizitën e Elisa Spiropalit si një moment të veçantë në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke vënë në dukje ndryshimin e tonit në pasqyrimin mediatik.
Sipas tij, “vizita e Spiropalit në Greqi ka pasur një qasje më pozitive në median greke. Kjo u duk sepse pati një ton më të qetë, më të butë dhe shumë më diplomatik se sa herët e tjera”.
“Në pjesën më të shëndetshme të medias greke, takimet e zhvilluara nga Spiropali janë trajtuar pozitivisht, duke reflektuar një ton të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve. Guri vuri në dukje se tre figurat më të larta të shtetit grek – Presidenti i Republikës Konstantinos Tasoulas, ministri i Jashtëm George Gerapetritis dhe ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias – kanë pritur Spiropalin, një fakt që nuk është parë më herët dhe që tregon një qasje të re strategjike. Vetë Spiropali ka theksuar se fokusi është krijimi i një korridori jo thjesht ballkanik, por evropian, ku Shqipëria ka premisa të bëhet së shpejti anëtare e Bashkimit Europian dhe të jetë një aleate e fortë dhe e besueshme për Greqinë.”
Ai theksoi se zakonisht Shqipëria paraqitet si një vend problematik për efekt klikimesh dhe interesa politike, por këtë herë u pa një qasje më e qetë dhe më diplomatike.
“Megjithatë, një pjesë e medias greke ka evidentuar çështjen Çame, e cila mbetet një plagë e vjetër dhe temë e vazhdueshme në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke e lidhur me deklaratën e Spiropalit për heqjen e ligjit të Luftës. Kjo tregon se, pavarësisht frymës së re, disa çështje historike mbeten ende të hapura dhe kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme.
Analisti Aleksandër Çipa, duke komentuar vizitën, nënvizoi se çështjet e mbartura në kalendarin e diplomacisë shqiptaro-greke mbeten ende të paezuruara. Ai përmendi tri çështje kryesore që kërkojnë zgjidhje.
“Tri janë çështje më kruciale; së pari është Marrëveshja e Detit e cila ka krijuar një histori të re në raportet diplomatike dhe madje është futur dhe procesi juridik, edhe pse i panisur. Së dyti, më bëri përshtypje takimi me ministrin e Mbrojtjes Nikos Dendias, i cili mbiemrin e origjinës së tij e ka mbiemrin Dede dhe është nga Vunoi, ndërsa vetë Spiropali është nga ky entitet i bregdetit shqiptar. Por përveç kësaj janë edhe situata të gjeopolitikës,” u shpreh Çipa.
Ai shtoi se mediat greke kanë pasur një përcjellje pozitiviste të vizitës dhe se “akulli është thyer pas një periudhe të gjatë moskomunikimi të autoriteteve”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




