Kryeministri grek njofton mbështetje shtesë për bujqësinë, por fermerët vijojnë protestat dhe bllokadat
Një ditë pasi kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis ka përfshirë në buxhetin e vitit të ardhshëm mbështetje shtesë me vlerën e 160 milionë eurove për fermerët, këta të fundit vijojnë të jenë të palëkundur në bllokadat që kanë ngritur në pikat kryesore të kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
Bllokadat e ngritura në pikat e kalimit të Greqisë me dy vendet fqinje vijojnë të shkaktojnë probleme në qarkullimin e automjeteve, pasi nuk lejohet kalimi i kamionëve dhe automjeteve të tjera të tonazhit të rëndë.
Të nxitur nga bllokimi i fondeve të BE-së për bujqësinë, të cilat lëshohen nga agjencia e pagesave të bujqësisë për shkak të një hetimi që ka lidhje me një skemë mashtrimi me këto fonde, fermerët prej disa javësh kanë mbajtur protesta, duke theksuar se bujqësia ndodhet në një rrugë pa krye dhe duke kërkuar masa konkrete dhe të menjëhershme.
Ata kërkojnë kompensim për të ardhurat e humbura, çmime minimale të garantuara për të korrat, heqjen e taksave për karburantin që përdorin dhe kosto të reduktuara të energjisë elektrike.
Ndërkaq, hetimi i zyrës së prokurorit publik europian, i cili fillimisht goditi një organizatë kriminale që vepronte në Kretë, anëtarët e së cilës kishin përfituar në mënyrë të padrejtë fonde europiane, është zgjeruar gati në të gjithë vendin.
Hetuesit thonë se janë të paktën tetë rrjete të dyshuara që vepronin sipas një skeme ku pranë zyrave të agjencisë së pagesave për bujqësinë paraqiteshin deklarata dhe aplikime të rreme në mënyrë që të përfitoheshin subvencionet e BE-së.
Sakaq vijon edhe këtë të mërkurë (17 dhjetor) bllokimi për 3 orë i aksit rrugor Kakavijë-Janinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



