Bakllava shtëpie apo pastiçerie? Tradita dhe zgjedhjet e fundvitit
Bakllavaja mbetet një nga ëmbëlsirat më të dashura të fundvitit, e lidhur ngushtë me traditën familjare. Amvisat gjirokastrite kanë nisur prej ditësh përgatitjet për bakllavatë tradicionale, duke respektuar recetat e trashëguara brez pas brezi. Për shumë familje, përgatitja e bakllavasë në shtëpi është një ritual që bashkon familjen dhe ruan frymën e festave të fundvitit.
Megjithatë, jo të gjithë zgjedhin ta përgatisin bakllavanë në shtëpi. Shumë banorë preferojnë ta blejnë atë në pastiçeri, për shkak të mungesës së kohës ose lehtësisë që ofron ky opsion.
“Unë e blej se nuk e bëj dot me nga mosha. Sot nuk e bëjnë dot vajzat e reja”.
“E blej ndonjëherë, por më mirë e bëj vetë”, thanë disa nga qytetarët
Nga ana tjetër, pastiçeritë në qytet konfirmojnë se kërkesat për bakllava janë rritur vitet e fundit. Krahas saj, është shtuar edhe interesi për ëmbëlsira të tjera festive, siç janë melomakaronat dhe produkte të ndryshme tradicionale e moderne.
“Kërkesat janë gjërat tradicionale të fundvitit bakllavaja, kadaifi e shëndetëlija. Kanë filluar edhe disa ëmbëlsira që nuk janë të traditës si trileçja dhe melomakaronat që kanë vite që i kërkojnë rregullisht. Ajo që kemi vënë re është rritja e numrit të njerëzve që kërkojnë bakllava, kjo sepse e kanë më të thjeshtë ta blejnë se sa ta bëjnë vetë”, tha një pastiçier.
Kjo tregon një ndryshim të shijeve dhe zakoneve të konsumatorëve, ndërsa ëmbëlsirat mbeten pjesë e pandashme e festave të fundvitit.
Gazetare: B.Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




